Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të organizuar në Presidencë, bazuar në kompetencat saj kushtetuese e ligjore, ka graduar gjeneral brigade Irfete Spahiun me gradën gjeneralmajore në FSK. E njëjta, po ashtu është emëruar Inspektore Gjenerale e FSK-së.
Sipas presidentes Osmani, është hera e parë në historinë e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë sonë që në hierarkinë e saj ta ketë gjeneralmajore një grua.
Emërimi i Spahiut edhe në pozitën e Inspektores Gjenerale të FSK-së, sipas Presidentes Osmani është një garanci për vazhdimin e mirëfunksionimit dhe zbatimit të standardeve profesionale të Forcës.
“Duke u bazuar në obligimet kushtetuese dhe ligjore, pas propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes, të ministrit Mehaj, kam dekretuar Irfete Spahiun nga grada gjeneralbrigade në gradën gjeneralmajore në Forcën e Sigurisë, ky gradim është nder dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme nga gratë dhe burrat në uniformë, familjet tuaja, familjet tona dhe e gjithë Republika e Kosovës presin shumë nga ju, gjeneralbrigade Spahiu jo vetëm, si oficere e lartë në FSK, por edhe si grua për herë të dytë po bën historinë duke u bërë gruaja e parë gjeneralmajor në Ushtrinë tonë, jam e bindur që do të vazhdojë të shërbejë me nderë dhe do ta bëjë krenarë secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë gjeneralja Spahiu emërohet në pozitën e inspektores gjenerale të Forcës së Sigurisë së Kosovës një pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm që do të sigurojë të gjitha veprimet që ndërmerren nga ana e Forcës së Sigurisë, nga ana e Ushtrisë sonë, të jenë në përputhje të plotë me ligjin”, deklaroi Osmani
Ndërsa gjeneralja e emëruar Irfete Spahiu ka thënë se do të ushtrojë këtë detyrë me nder dhe përgjegjësi të madhe.
“Faleminderit të gjithëve për prezencën mbi të gjitha kjo është përgjegjësi e imja, po shpresoj dhe besoj, ashtu siç kam besuar deri më tani në veten time që, besimin që institucionet e Republikës së Kosovës ma kanë dhënë, do ta kryej me nder dhe dinjitet”, tha Spahiu.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe kreu i qeverisë Albin Kurti dhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj.