UBT News

​IPK jep detaje nga incidenti në Mramor ku është i përfshirë një zyrtar policor

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje sot mbi incidentin e djeshëm me armë zjarri në Mramor të Prishtinës, ku përfshirë është edhe një zyrtar policor.

Rasti sipas IPK-së ka ndodhur te liqeni i Badocit, ku zyrtari policor Sh.E., derisa kishte qenë në piknik me shoqërinë e tij, ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë me dy qytetarë të armatosur.

Zyrtari policor gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me armën zyrtare ka plagosur dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor dhe shoqëruesit e tij që gjendeshin me të në piknik.

Dy personat e dyshuar të përfshirë në incident kanë marrë plagë nga arma e zjarrit dhe të njëjtit i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike dhe mbeten në QKUK duke vazhduar tretmanin mjekësor.

Prokurori i Shtetit ka udhëzuar që në këtë fazë të hetimit të hapet rast penal ndaj dy qytetarëve të përfshirë në këtë rast, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt, derisa të përmirësohet gjendja shëndetësore e personave të plagosur dhe të njëjtit do të monitorohen nga policia.

Ndërsa zyrtari policor SH.E., në këtë fazë të hetimit mbetet në cilësinë e dëshmitarit dhe rasti do të hetohet nga Policia e Kosovës, në koordinim me hetuesit e IPK-së dhe të Prokurorit të Shtetit.

Për shkak të hetimeve dhe ruajtjes së integritetit të hetimeve në këtë fazë të hetimit, IPK thotë se nuk mund të shpalosë informata tjera, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që kanë informata lidhur me këtë rast të informojnë Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës ose Prokurorinë e Shtetit.

Exit mobile version