UBT News

​IPK arreston një zyrtar policor të dyshuar për lëndim të rëndë trupor dhe kanosje

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor në Pejë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”.

Informacionet e para hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast i kishin pranuar nga Policia e Kosovës në Pejë “se një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë si i dyshuar në një rast të lëndimit të rëndë trupor”, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin kujdestar kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse viktima (zyrtare policore) është dërguar për trajtim mjekësor.

Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Exit mobile version