Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë persona, në mesin e tyre një zyrtar policor, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, armëmbajtje pa leje dhe bixhoz të kundërligjshëm.
Operacioni u zhvillua në pesë lokacione të ndryshme ndaj të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.
“Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme përfshirë disa telefona mobil, dy USB, para të gatshme, dy pistoleta etj. Të ndaluar si pjesë e këtij operacioni janë pesë persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe katër qytetarë”, ka njoftuar IPK-ja.
Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Armëmbajtje pa leje”, “Dhënie ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”.