UBT News

​Inteligjenca e SHBA-së kishte paralajmëruar mundësinë e konfliktit disa ditë para sulmit ndaj Izraelit

Ditë përpara sulmit të së shtunës ndaj Izraelit, shërbimi i inteligjencës amerikane prodhoi të paktën dy vlerësime të bazuara pjesërisht në inteligjencën izraelite, në të cilat paralajmëroi presidentin Joe Biden për rrezikun në rritje të një konflikti palestinezo-izraelit, shkruan CNN.

Në raportin e 28 shtatorit thuhet se grupi terrorist Hamas po përgatitet të përshkallëzojë sulmet me raketa.

Një kabllogram i CIA-s i datës 5 tetor paralajmëroi për një mundësi në rritje të dhunës nga Hamasi, dhe më pas më 6 tetor, një ditë para sulmit, raportet nga Izraeli qarkulluan mes zyrtarëve amerikanë që tregonin aktivitet të pazakontë të Hamasit. Asnjë nga vlerësimet e SHBA-së nuk ofroi ndonjë detaj taktik apo tregues se sulmi i kryer nga Hamasi më 7 tetor do të ishte kaq i gjerë dhe i tmerrshëm.

“Problemi është se asnjë nga këto nuk ishte e re. Historikisht ka qenë normë midis Hamasit dhe Izraelit. Mendoj se ata që panë raportet tundnin duart dhe supozuan se asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhte”, tha një burim i njohur me inteligjencën për CNN.

“Kemi paralajmëruar disa herë, nuk na kanë dëgjuar”

Një zyrtar i lartë i një vendi arab tha se ai kishte paralajmëruar vazhdimisht autoritetet amerikane dhe izraelite se niveli i zemërimit mes palestinezëve po arrinte një nivel të rrezikshëm.

“Ne kemi paralajmëruar disa herë, nuk na kanë dëgjuar”, tha zyrtari.

Ambasadori i Lindjes së Mesme në Uashington tha gjithashtu për CNN se qeveria e tyre ka paralajmëruar vazhdimisht Shtëpinë e Bardhë dhe inteligjencën amerikane për grumbullimin e armëve brenda Hamasit dhe zemërimin mes palestinezëve.

“Ne paralajmëruam se as nuk mund ta imagjinoj se sa armë ka tani në Gaza dhe se kontrolli i Hamasit mbi Bregun Perëndimor po bëhet një problem real. Këtë e kemi thënë në çdo takim gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha ambasadori. 

Exit mobile version