Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, me 6 vota për, një kundër dhe një abstenim ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Kërkesën për shkarkim e ka bërë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Salih Zyba.
“Në vlerësimin që i kemi bërë në raportimin që ka qenë punë e këtij bordi mendoj se sot është vetëm çështja e votimit. I qëndroj kërkesës sime”, tha ai.
Por, kundër shkarkimit është shprehur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Nura.
“Është e paarsyeshme, ne e kemi analizuar mirë e kemi pa edhe raportin e auditimit ka qenë ndër më të mirët. Unë jam kundër”, tha ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se duhet të bëhet një analizë e secilit anëtarë veç e veç dhe jo të ketë votim kolektiv.
“Sikur kur kanë qenë vlerësimet individuale kur janë emëruar e njëjta procedurë duhet të jetë edhe tash. E kam problem në parim votimin kolektiv”, tha ai.
Kryetarja e këtij komisioni, Fitore Pacolli, tha se kur bordi ka raportuar nuk ka arritur të bëjë dallime se kush ka punuar mirë dhe kush jo.