Çmimet e konsumit në gusht 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë rritur 13.2 për qind, njofton Enti i Statistikave të Republikës së Kroacisë.
Çmimi i ushqimit është rritur 20.9 për qind në një vit. Nga gushti 2021 deri në gusht 2022, çmimi i grupit ushqimor “kafe, çaj dhe kakao” u rrit më së shumti – 25.7 për qind, buka dhe drithërat 24.1 për qind, ndërsa çmimi i mishit 23.7 për qind në një vit.
Çmimi i peshkut ka shënuar rritje 23.9 për qind, ndërsa qumështi, djathi e vezët 23.5 për qind.
Karburanti dhe lubrifikantët për automjetet e pasagjerëve në gusht të këtij viti janë më të shtrenjta në krahasim me gushtin e vitit të kaluar 20.9 për qind. Përdorimi dhe mirëmbajtja e një automjeti tani është 17.3 për qind më i shtrenjtë.
Gazetat dhe revistat janë mesatarisht 37.7 për qind më të shtrenjta që nga gushti i kaluar.
Furnizimet e zyrës për një vit u rritën 20.9 për qind dhe paketat në kategorinë “rekreacion dhe kulturë” e rritën çmimin e tyre 17.6 për qind.
Qiraja aktuale e banesave është më e lartë 21.3 për qind dhe produktet dhe shërbimet në kategorinë e kopshtit, fidanëve dhe luleve janë më të shtrenjta 16.5 për qind.
Krahasuar me gushtin e kaluar, vetëm shërbimet e transportit ajror të udhëtarëve janë më të lira, 0.2 për qind.
Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal në gusht 2022, krahasuar me korrikun 2022, janë rritur mesatarisht 1.2 për qind.
Vëzhguar sipas grupeve kryesore të produkteve dhe shërbimeve të klasifikuara sipas qëllimit të konsumit, në gusht 2022, krahasuar me muajin paraardhës, rritje çmimi është shënuar në grupet banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (3.9 për qind), ushqime dhe pije joalkoolike (2.5 për qind), restorante dhe hotele (1.4 për qind), rekreacion dhe kulturë (1.3 për qind), pajisje për banesë dhe mirëmbajtje të vazhdueshme (1 për qind), si dhe në grupet pije alkoolike dhe duhan, komunikimi, shëndetësia dhe arsimi (nga 0.1 për qind).
Rënie e çmimeve është shënuar në grupet transport (-2.5 për qind) dhe veshje dhe këpucë (-0.6 për qind).
Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera nuk ndryshuan ndjeshëm.