Infermierët dhe stafi mbështetës që ishin të angazhuar në menaxhim të pandemisë COVID-19, sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës pas ndërprerjes së kontratave të punës. Kërkesa kryesore e tyre ishte që t’ju vazhdohen këto kontrata, të cilat iu skaduan gjatë këtij muaji, në të kundërtën kanë paralajmëruar ikje jashtë vendit.
Arbenita Gashi, infermiere, tha se mungesën e tyre po e ndien pacienti dhe se sistemi shëndetësor kosovar ka nevojë edhe për këta punonjës që tashmë kanë mbetur pa punë.
“Ne kemi dalë në protestë për arsye se na u kanë ndërprerë kontratat më 15 qershor dhe kërkojmë të merret vendimi që këto kontrata të kthehen në të rregullta sepse shëndetësia ka nevojë për ne dhe më së shumti këtë mungesën tonë po e vuan pacienti. Atëherë e kishim lutur kryeministrin që këto kontrata të na vazhdohen dhe të bëhen të rregullta mos të na i hapin rrugët drejt perëndimit”, u shpreh ajo.
Bekim Ahmeti, inspektor sanitar i angazhuar në luftën kundër pandemisë COVID-19, u shpreh se tash kanë mbetur në rrugë përkundër nevojës për punë dhe përvojë së fituar.
“Sot jemi në një protestë bashkë me infermierë dhe stafin mbështetës dhe përfaqësojmë mbi 1 mijë e 200 punëtorët të cilët kemi mbetur pa kontrata prej datës 1 qershor. Të gjithë kemi qenë të angazhuar dhe jemi profesional tash kemi krijuar edhe përvojë pune. Kemi punuar me energji të plotë në luftën kundër pandemisë COVID-19… Situata është e vështirë dihet dhe gjendja ekonomike si është në Kosovës edhe mund t’i shihni të gjithë janë të rinj në fillim të jetë së tyre të krijimit të familjeve, të karrierë të gjitha janë me shkollim adekuat dhe tash po mbesin rrugëve me gjithë këtë përvojë që kemi krijuar”, theksoi Ahmeti.
Për të protestuar sot ka dalë edhe Jetullah Qollaku nga Skenderaj. Ai thotë se ndihet i zhgënjyer për mos vazhdim të kontratës së punës përkundër angazhimit të tyre.
“Qëllimi i protestës është fakti që jem të pakënaqur që nuk i kemi vazhduar kontratat që na u kanë ndërprerë 1 vit pasi që i kemi nënshkruar ato. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer kemi pritur pas gjitha asaj pune të na vazhdohen kontratat dhe normal me qenë të rregullt nëpër QMF apo repartet ku kemi qenë duke punuar”, deklaroi ky infermier.
Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë, Ministria e Shëndetësisë i kishte angazhuar në menaxhim të pandemisë përfshirë edhe procesin e vaksinimit. Por, këtyre punëtorëve, të cilëve gjatë këtij muaji iu kanë skaduar kontratat e punës, ato nuk iu janë vazhduar.