Kosova ende nuk ka regjistruar asnjë rast të prekur nga lija e majmunit, një sëmundje e re e cila ka prekur shumë vende të botës, por në Klinikën Infektive tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për trajtimin e pacientëve të mundshëm të prekur me këtë sëmundje.
Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, deklaroi se është evidente që edhe për Kosovën ekziston rreziku i përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Vishaj u shpreh se kjo sëmundje nuk përhapet shpejt sikurse COVID-19, prandaj ekzistojnë kapacitetet e nevojshme për ballafaqim me këtë sëmundje.
“Jemi duke e ndjekur situatën me një vëmendje të veçantë edhe Kosova është pjesë e Evropës dhe mundësia e ardhjes së pacientëve me lijën e majmunëve është e mundur, për këtë arsye Klinika Infektive ka marrë të gjitha masat e duhura përmes një plani të veprimit në rast të ardhjes së ndonjë pacienti eventual… Ndonëse është një sëmundje e re, por në aspektin e infrastrukturës kemi një infrastrukturë të domosdoshme për trajtimin e këtyre pacientëve dhe jemi duke shikuar protokollet dhe rekomandimet të cilat dalin për trajtimin e pacientëve të tillë dhe në bazë të të dhënave që i kemi ne jemi të gatshëm që t’i aplikojmë në përpikëri protokollet të cilat jepen nga institucionet e duhura… Situata është e qetë në Kosovë, nuk kemi raste edhe nëse ndodh të kemi mendohet se kjo sëmundje nuk përhapet shpejt në popullatë dhe kapacitetet tona, qoftë infrastrukturore, qoftë me staf, janë të mjaftueshme që të përballen me këtë sëmundje”, theksoi ai.
Si sëmundje e cila është karakteristikë e vendeve të Afrikës Qendrore, infektologu Vishaj tha se lija e majmunit rrezikon çdo moshë apo person që ka kontakt të afërt me personat apo kafshët e infektuara. Ai shtoi se deri në këto momente përhapja më shumë është vërejtur tek homoseksualët dhe biseksualët.
“Kjo sëmundje përhapet përmes kontakteve të afërta duke rënë në kontakt me pacientë që janë në fazën e viremisë, apo pacientët e infektuar, ose duke rënë në kontakt me majmunët, produktet e tyre ose të brejtësve në zonat endemike… Është e vërtet në bazë të të dhënave që i kemi marr është folur se në dy vende në Belgjikë dhe Spanjë ka pasur organizim të grumbullit të madh të njerëzve të komunitetit LGBT dhe tek këta ka pasur raste tek biseksualët dhe homoseksualët të cilët është paraqitur kjo formë, por ende nuk ka një vendim të plotë dhe definitiv që na tregon se cilat mosha janë më tepër dhe arsyen e një përhapje të tillë në këto vende”, theksoi Vishaj.
Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj beson që nuk do të ketë nevojë për vaksinim masiv ashtu siç ndodhi me pandeminë COVID-19.
Infektologu Vishaj, duke treguar për simptomat e kësaj sëmundjeje, këshillon qytetarët që të rrinë te qetë dhe të mos përjetojnë panik.
“Njerëzit të cilët kanë qenë në Afrikën Qendrore apo Perëndimore dhe kanë shtegtuar nëpër zona ku potencialisht kanë mundur të jenë të kontaminuar me produkte të minjve apo kanë rënë në kontakt me majmunët është e mundur të manifestojnë ndryshe, nëse ata infektohen në formë të temperaturës, etheve, dhe ndryshimeve të lëkurës që janë karakteristike në formë të puçërrzave që mbushen me ujë dhe ënjtje të gjëndrave limfatike, pastaj kanë edhe mundim dhe të vjella”, u shpreh ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka paralajmëruar se mund të ketë rritje të rasteve me virusin e rrallë, të ashtuquajtur lia e majmunëve, për shkak të organizimit më të madh të festave në muajt e verës. Ndërsa, në më shumë se 100 raste të infeksionit viral janë konfirmuar në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Britani, ShBA, Kanada, Austri e së fundmi edhe në Slloveni.