UBT News

​Imunizohen mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18 vjeç

Cervical Cancer Vaccine

Mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18 vjeç janë vaksinuar me dozën e parë dhe 1 mijë e 828 të tjerë janë aktualisht të infektuar. Kurse në skenarin online janë vetëm tri shkolla.

Kështu ka thënë për KosovaPress zëvendësministri i MAShTI-t, Dukagjin Pupovci, i cili shtoi se sipas informatave që marrin çdo ditë nga terreni, tha se numri i nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me virusin korona ka rënë dukshëm.

“Nga raporti i sotëm ne kemi vetëm 3 shkolla në Kosovë të cilat punojnë me skenarin online, në raport me 90 që i kemi pasur sot dy javë. I kemi 1 mijë e 828 nxënës të cilët janë aktualisht të infektuar në raport me sot dy javë ku kanë qenë 6 mijë e 684 të infektuar. Ndërsa aktualisht numri i mësimdhënësve të infektuar me COVID-19 është 412 në dallim me javën e kaluar ku ishin 1 mijë e 489 të infektuar, pra numri i mësimdhënësve të infektuar ka rënë dukshëm”, tha Pupovci.

Ndërsa numri i nxënësve të imunizuar sipas Pupovcit nuk është aspak i kënaqshëm, në raport me atë të mësimdhënësve, kur prej tyre janë 23%, ndërsa këta të fundit 95%.

“Këtë herë i kemi edhe shifrat për nxënësit e vaksinuar, të cilat kemi arritur t’i sigurojmë falë bashkëpunimit me IKShPK-në. Nëse merren personat e moshës 12 deri në moshën 18 vjeç me të paktën një dozë, janë të imunizuar 45 mijë e 387 persona, e që nga vlerësimet e popullsisë del se janë përafërsisht 200 mijë persona, e që i bie se shkalla e vaksinimit është diku 23%, përqindje kjo e cila nuk mund të quhet e kënaqshme. Ndërsa, numri i mësimdhënësve kalon diku 95%, dhe situata aty është jashtëzakonisht e mirë”, tha Pupovci.

Deri më sot janë dhënë 91 mijë e 372 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Exit mobile version