UBT News

​IKD identifikon fotografim të votës dhe prishje të heshtjes zgjedhore

Fotografim i votës, prishje e heshtjes zgjedhore dhe tentim për të votuar me letërnjoftim me afat të skaduar, janë disa nga shkeljet që ka identifikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi, në monitorimin që është duke i bërë procesit zgjedhor.

Ylli Zekaj nga IKD tha se kanë 51 monitorues në teren e të cilët po raportojnë për shkeljet në vendvotime. Ai tha se në disa raste kanë vërejtur që në qendra të vendvotimeve janë parë qytetarë me logo të partive politike.

“Gjatë këtyre orëve të para të monitorimit nga ana e monitoruesve tonë që i kemi në terren janë hasur disa shkelje të procesit zgjedhor dhe ato kanë pasur të bëjnë kryesisht me fotografim të votës që tani është vetëm dyshime për shkak se disa raste kanë kaluar në prokurori dhe prokuroria pritet t’i konfirmojë. Pastaj kemi pasur prishje të heshtjes zgjedhore nga ana e disa përfaqësues të partive politike, qoftë përmes kamuflimeve përmes mbajtjes së maskave me logo të partive politike. Kemi pasur edhe disa raste që janë identifikuar nga monitoruesit tanë që votuesve u kanë shkuar sms nga ana e partive politike më të cilat i kanë drejtuar apo orientuar për cilën parti të votojnë. Të gjitha këto përbëjnë shkelje të procesit zgjedhor dhe si të tilla janë paraqitur edhe në organet e policisë”, tha ai.

Zekaj tha se në disa qendra të votimit kanë hasur në qytetarë të cilët kanë tentuar të votojnë me letërnjoftime me afat të skaduar.

“Kemi hasur kryesisht edhe mohimin e të drejtës së votës për shkak se një numër i qytetarëve janë paraqitur me letërnjoftime të skaduara dhe kjo paraqet një pamundësi për të votuar. Kështu që bëjmë apel të të gjithë qytetarët që të mos përdorin letërnjoftim apo dokument identifikimi të skaduar për arsye se është e pamundshme që të votohet me të njëjtat dhe të njëjtit duhet të kenë dokument valid të identifikimit me qëllim që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha ai.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar 8.3 për qind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues.

Exit mobile version