Komunat e Kosovës janë duke iu dalë në ndihmë qytetarëve të prekur me COVID-19 përmes pakove ushqimore dhe mjeteve financiare. Ndihmën e nevojshme nga komunat po e marrin edhe bizneset lokale, ku përveç lirimit nga të gjitha taksat, kanë miratuar edhe pako ekonomike.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili thekson se të gjitha komunat e Kosovës kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme me pandeminë COVID-19.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se kryetarët e komunave, drejtorët komunalë dhe shtabet emergjente lokale që nga marsi kanë qenë në vijën e parë të frontit sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Pothuajse të gjitha komunat kanë përkrahur bizneset lokale po edhe familjet të cilët kanë qenë të prekura nga COVID-19. Menjëherë që nga fundi i marsit, fillimi i prillit, pothuajse të gjitha komunat kanë rialokuar mjete buxhetore nga vija të ndryshme buxhetore në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke i përkrahur bizneset po edhe duke i përkrahur edhe familjarët me pako të ndryshme ushqimore, sepse në atë kohë ka qenë edhe izolimi i familjarëve i familjeve, po edhe i komunave të ndryshme. Mund të themi që komunat kanë luajtur një rol domethënës sa i përket menaxhimit të pandemisë. Gjithashtu edhe tash po shohim që disa komuna kanë filluar që të ndajnë edhe mjete shtesë duke i përkrahur bizneset lokale. Gjithashtu, edhe prej marsit e deri më tani komunat kanë shpenzuar mjete nga të hyrat vetanake sa i përket luftës për parandalimin e COVID-19, duke bërë dezinfektimin e shkollave, duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe gjithashtu duke ofruar paketa të ndryshme financiare bizneseve, duke i liruar nga taksat, duke i liruar nga kamatat dhe gjobat sa i përket mospagesës së tatimit në pronë”, thotë ai.
Ai deklaron se niveli qendror ka ndihmuar komunat financiarisht për menaxhim sa më të mirë të pandemisë COVID-19. Sipas tij, komunat duhet të ndihmohen në vazhdimësi dhe këtë thotë se ia kanë kërkuar edhe kryeministrit të vendit dhe ministrave të qeverisë.
“Gjithmonë mjetet financiare janë të mirëseardhura. Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës kemi bërë përpjekje maksimale së bashku me kryetarët e komunave që të marrim sa më shumë mjete financiare nga niveli qendror në nivelin lokal, sepse gjithmonë kemi konstatuar dhe do të konstatojmë edhe në të ardhmen se jeta e qytetarit zhvillohet në terren e jo në nivelin qendror. Për këtë arsye kemi pasur takime të ndryshme me nivelin qendror, duke u nisur nga kryeministri, nga ministritë e dikastereve të ndryshme, në mënyrë që komunat të përkrahen financiarisht sa më shumë që është e mundur, sepse në disa raste derisa e bënë rialokimin e mjeteve komunat kishte një farë lloj zbraztësie për t’i përkrahur familjarët të cilët ishin të prekur me COVID-19, po edhe bizneset lokale. Kemi marrë përkrahje nga niveli qendror, po mendoj komunat kanë marrë përkrahje financiare nga niveli qendror. Së fundi është ndarë edhe një fond shtesë prej 10 milionë euro, do të thotë në luftë të drejtpërdrejtë për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ku janë aktivizuar edhe mekanzimat tjerë sa i përket përkrahjes së qytetarëve”, thotë ai.
Ibrahimi thotë se zbatimi i masave nga ana e komunave ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm, e për këtë sipas tij ka ndikuar bashkëpunimi që kanë pasur niveli lokal e ai qendror.
“Bashkëpunimi me nivelin qendror ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm, në asnjë rast as masat kur janë liruar apo masat antiCOVID kur janë shtrënguar, nuk janë ndërmarrë këto masa pa konsultime paraprake me nivelin lokal, përkatësisht kryetarët e komunave dhe për këtë arsye zbatimi i këtyre masave në terren ka qenë më i lehtë. Në të gjitha rastet kryetarët e komunave i kanë respektuar në plotëni dhe Komunat i kanë respektuar në plotëni masat të cilat janë ndërmarrë nga niveli qendror sa i përket luftës për parandalimin e COVID-19, sepse edhe paraprakisht kanë qenë të konsultuar”, thotë Ibrahimi.
Ndër masat e fundit që janë ndërmarrë nga niveli qendror është kategorizimi i komunave në bazë të numrit të të infektuarve, e që më pastaj ka edhe ndalesa për komunat. Ibrahimi thotë se ky kategorizim ka treguar rezultate pozitive pasi që ka rënë lakorja e të infektuarve me COVID-19.
“Këto masat e fundit patën dhënë rezultat, sepse filloi të bie lakorja e numrit të të infektuarve dhe gjatë ditëve të fundit kishim deri në 14.3 përqind të rënies së rasteve me infektim COVID-19. Do të thotë në përgjithësi u konstatua që kategorizimi i komunave në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ishte i suksesshëm”, thotë ai.
Krejt në fund, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka një lutje për nivelin qendror sa i përket marrjes së masave anti-COVID.
“Nëse do të ketë lirim apo shtrëngim të masave këto masa patjetër që do të diskutohen me nivelin lokal përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, si përfaqësuesi i vetëm legjitim. Çdo veprim që vjen nga niveli qendror edhe i cili diskutohet me nivelin lokal, edhe zbatimi i tyre do të jetë më i lehtë. Neve shpresojmë që nëse qeveria ka ndërmend të ndryshojë masat, t’i diskutojë me neve paraprakisht në mënyrë që të ketë një harmonizim të plotë dhe që zbatimi i këtyre masave të bëhet më lehtë në nivel lokal”, thotë ai.
Në Kosovë deri më tani janë mbi 50 mijë raste pozitive me COVID-19, ndërsa kanë vdekur mbi 1 mijë e 300 persona.