Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mos bashkëpunimin në mes komunave dhe nivelit qendror mbi hartimin e politikave që prekin kompetencat e nivelit lokal, por edhe sa i përket buxhetit.
Kreu i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për KosovaPress ka folur mbi problemet e komunave lidhur me bashkëpunimin me Qeverinë, ku përmend rregullimin e kontratave kolektive pasi që vazhdojnë të paguhen nga buxheti komunal.
“Komunat e Republikës së Kosovës në takimet që ne si Asociacion i Komunave kemi pasur edhe në kontaktet e përditshme, kanë shprehur shqetësim sa i përket bashkëpunimit me nivelin qendror në hartimin e politikave që prekin kompetencat e nivelit lokal, por gjithashtu sa i përket buxhetit. Problemet kryesore që komunat i kanë theksuar në takimet tona janë rregullimi i kontratave kolektive, sepse ende kontratat kolektive vazhdojnë të paguhen nga buxhetet komunale, kurse ato janë lidhur nga niveli qendror me sindikatat e shëndetësisë, përkatësisht të arsimit. Problemi gjithashtu i cili është identifikuar është edhe mos pjesëmarrja e tyre në draftimin apo amendamentin e ligjeve për vetëqeverisje lokale, i cili ka qenë bazik për funksionimin në pushtet lokal, por gjithashtu ka edhe problem sa i përket hartimit të ligjit për financa lokale, por ky ligj është draftuar qe disa vite, por ende nuk është miratuar nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që të kalojë edhe në Parlamentin e Kosovës”, tha Ibrahimi.
Ndërsa sa i përket ligjit për financa lokale, Ibrahimi thotë se problem kryesor është granti i katërt, pasi që edhe komunat kërkojnë që ky grant të funksionalizohet. Derisa shton se si asociacion kanë dërguar edhe porosi në Ekzekutiv se nuk duhet të injorojnë komunat në hartimin e politikave.
“Sa i përket ligjit për financa lokale, problemi kryesor është granti i katërt ku komunat kërkojnë që ky grant të funksionalizohet sa më shpejt që është e mundur. Gjithashtu shqetësim tjetër i kryetarëve të komunave është edhe mos funksionalizimi i bordit të organit shqyrtues të prokurimit publik, ende ky bord nuk është funksional dhe ende komunat apo qytetarët nuk përfitojnë drejtpërdrejt nga implementimi i shumë projekteve, të cilat si qëllim kanë përmirësimin e jetës së qytetarit. Ne si Asociacion i Komunave të Kosovës kemi dërguar një porosi në nivelin qendror se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i injorojë komunat e Kosovës në hartimin e politikave, të cilat prekin kompetencat e komunave, por gjithashtu edhe sa i përket buxheteve që ndahen për nivelin lokal”, tha Ibrahimi.
Kreu i AKK-së ka folur edhe mbi punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti, duke e cilësuar si bashkëpunim jo korrekt.
“Ne jemi një mekanizëm që i mbron interesat e autoriteteve lokale përballë nivelit qendror, kryetarët e komunave në çdo takim kanë theksuar bashkëpunimin jo korrekt me nivelin qendror, pasi që janë ndërmarrë disa hapa me nivelin lokal pa konsulta paraprake me kryetarët e komunave. Në veçanti duhet ta theksoj miratimin e ligjit për vetëqeverisje lokale apo amendamentin e këtij ligji nga Qeveria, pa konsulta me kryetarët e komunave. Gjithashtu, mos funksionalizmi i bordit të OBSH-së ka impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit, gjithashtu kontratat kolektive komunat ende vazhdojnë t’i paguajnë kontratat kolektive nga buxhetet e tyre vetanake e jo nga niveli qendror, por ka edhe shumë dilema të tjera që kryetarët e komunave dëshirojnë që t’i zgjedhin me nivelin qendror, por për shkak të mos këtij bashkëpunimi jo korrekt dhe jo të sinqertë kemi shumë probleme edhe në zbatimin e shumë projekteve”, tha ai.
Ibrahimi ka folur edhe për pandeminë COVID-19 duke thënë se deri më tani, siç e kanë vlerësuar drejtorët komunalë të shëndetësisë, gjendja është stabile.