Policia e Kosovës të enjten ka arrestuar sekretarin e Shkollës Teknike në Ferizaj si të dyshuar për marrje ryshfeti prej 1 mijë e 200 eurosh duke i premtuar një qytetari pajisjen me diplomë të shkollës.
Sipas njoftimit të policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Ferizajt, pas zhvillimit të hetimeve për një kohë, ka arritur të siguroj dëshmi relevante se i dyshuarit (m) me pozitë sekretar i një shkolle të mesme teknike, gjatë ushtrimit të detyrës në vazhdimësi, nga muaji dhjetor 2022 deri në muajin mars 2023 kishte pranuar/marr ryshfet nga viktima (f) dhe bashkëshorti i saj 1200 euro, duke i premtuar se do ta pajis me diplomë të shkollës së mesme, pasi shkolla në fjalë ofronte këtë mundësi me programin e quajtur “Mësimi i Përshpejtuar”.
“Sot me datë 11.05.2023, është arrite të sigurohet prezenca e personit të dyshuar për tu intervistuar. Pas intervistës dhe analizës së gjitha dëshmive është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer veprat penale “Marrja e Ryshfetit” dhe “Mashtrimi” sipas kodit penal të RKS-së””, thuhet në raport.
Sipas policisë të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Prokurorin kompetent, ku i dyshuarit pas intervistës në prezencë të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.