Fati i Bedri Rexhepit, i zhdukur që nga data 8 prill, ende nuk dihet. Edhe pse po bëhen dy javë që kur u zhduk në rrethana të panjohura, Policia e Kosovës nuk ka informacion për vendndodhjen e tij.
Përgjigjja e vetme për mediat nga ana e këtij institucioni është se “kërkimet janë duke vazhduar”, ndërsa çdo minutë që kalon e bën shumë të vështirë për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij të cilët vazhdojnë të jenë shumë të shqetësuar në lidhje me rastin.
Rexhepi nuk ka qasje në telefonin e tij celular prej orës 21:30 të datës 8 prill. Vetura e tij e tipit “Grand Shirok” është gjetur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit vetëm një ditë pasi ishin humbur kontaktet me të.
Duke qenë se Policia e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë çështje, është kontaktuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, që për rastin e njëjtë ka një të dyshuar me inicialet J.V. për të cilin është urdhëruar një muaj paraburgim.
Mirëpo, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj, ka refuzuar të jap ndonjë informacion për të mos dëmtuar hetimet që sipas saj janë duke u zhvilluar.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet rreth këtij rasti. Andaj, për shkak të ruajtjes së integritetit të kësaj procedure nuk mund të ndajmë me ju informata shtesë”, tha Ulaj.
Më 15 prill Departamenti i Krimeve të Rënda pranë kësaj prokurorie kishte paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit J.V., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.
Më pas, gjyqtarja e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pas seancës dëgjimore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit J.V. dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, nga data 13.04.2021 e deri më datë 13.05.2021 konform nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafët 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
“I pandehuri J.V. është ndaluar ngase ekziston dyshimi i bazuar se është i implikuar në rrëmbimin e tani të dëmtuarit B.R., ashtu që me datë 08.04.2021, rreth orës 21:00, i dëmtuari B.R. është zhdukur në rrethana deri me tani të panjohura dhe deri me tani nuk dihet vend ndodhja dhe gjendja e tij shëndetësore, kurse me datë 09.04.2021 rreth orës 07:00, është gjetur vetura e të dëmtuarit e braktisur e tipit Xhip Grand Shirok, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, po ashtu viktima nga data 08.04.2021 rreth orës 21:30, nuk ka qasje në telefonin e tij celular”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Nëse ndokush ka ndonjë informacion lidhur me rastin mund të kontaktojnë në numrat 049 492 777 dhe 045 596 869.