Punëtorët e administratës së Gjykatës Themelore, Apelit, Supremes si dhe ata të Prokurorisë Themelore dhe të Apelit kanë hyrë sot në grevë për të kërkuar që të aprovohet ligji për punëtorët e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive.
Ata po kërkojnë edhe përafrimin e pagave të punëtorëve, pagesat lineare nga 150 euro për çdo punëtor, shujtat ditore dhe pagesat e udhëtimit.
Kryetar i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi thotë se vendimin që ka marrë qeveria e kaluar nën udhëheqjen e Ramush Haradinaj është diskriminim për stafin.
“Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës bëri një rritje te pagës për vete dhe për stafin e që në automatizëm përfituan edhe gjyqtarët dhe prokurorët me çka e bëri shumë dallimin mes pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve karshi administratave se gjykatave. Unë kam respekt shumë të madh për Ramush Haradinaj edhe për të kaluarën e tij për familjen Haradinaj në lufte dhe paqe, por jo edhe për vendimin me të cilin administratën e gjykatës bëri diskriminim total karshi me gjyqtarët dhe prokurorët”, tha ai.
Rrustemi u bën thirrje institucioneve përkatëse për realizimin e kërkesave që i kanë tash e sa vite.
“Kërkojmë nga institucionet relevante që njëherë e përgjithmonë të merren seriozisht me kërkesat tona t’i plotësojnë kërkesat tona që administrata e gjykatës dhe prokurorive të kenë edhe ligj edhe pagë edhe punë të dinijtetshme”, u shpreh Rrustemi.
I gjithë stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është në grevë përpos gjyqtarëve. Edhe nëndegët e gjykatës themelore si Lipjan, Podujeva, Drenas ju kanë bashkangjitur grevës.
Këshillat grevist me kryesit e sindikatave do ti përmbahen në përpikmëri Ligjit mbi Grevat duke lejuar që lëndët e natyrës urgjente si p.sh lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personalitetit i njeriut (dhuna në familje) të lejohen të punohet si dhe shkresat që i adresohen Gjykatës të pranohen nga stafi i arshivës në kohën e caktuar nga Këshilli Grevist.