Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nga i cili është njoftuar për projektet që i ka kjo komunë.
Hoxhaj tha se pret që kryetari i komunës së Drenasit ta vazhdojë, sipas tij, qeverisjen e mirë në shërbim të qytetarëve. Ai përmendi se puna e Lladrovcit në nivelin komunal është vlerësuar duke u shpallur si komuna me performancën më të mirë në nivel vendi. Ai vlerësoi punën që është bërë në Drenas gjatë qeverisjes së PDK-së me këtë komunë.
“Mora një informatë të plotë për projektet që i ka kryetari i komunës dhe përtej asaj se ka bërë punë të madhe në Drenas, Ramiz Lladrovci, shihet në nivel të Kosovës si shembull i mirë i qeverisjes, si shembull i mirë i menaxhimit, si shembull i mirë i zhvillimit të një komune. Për atë edhe të gjithë indikatorët ndërkombëtarë, ambasadat më të fuqishme në Kosovë dhe institucione ndërkombëtare kanë vlerësuar punën e Lladrovcit dhe të komunës së Drenasit dhe natyrisht që ne presim që këtë punë ta vazhdojë edhe në të ardhmen që të jetë në shërbim të qytetarëve, meqë ne mund ta ndërtojmë një jetë të dinjitetshme duke filluar nga një pushtet lokal i suksesshëm”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se e ka njoftuar kreun e PDK-së për të gjitha projektet që janë duke i zhvilluar.
“E njoftova kryetarin për punët, për angazhimet, për projektet që i ka komuna dhe për projektet që është duke zhvilluar komuna. Ne dihet tash jemi komunë kampion për performancë, në zbatim të ligjit e në punë të tjera dhe do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen me kryetarin, me kryesinë dhe do të kemi takime edhe me kandidatët që kanë me qenë për kryetar komunash, ku do t’i informojmë se si do ta bëjmë një platformë të përbashkët për punë të mira që do t’i kemi kryetarët e komunave të Partisë Demokratike të Kosovës në të ardhmen”, tha ai.
Lladrovci në këtë takim bëri të ditur se ka liruar nga pozita e nënkryetarit të komunës së Drenasit, Nazmi Hasin me kërkesë të tij, dhe se në këtë pozitë e ka emëruar Arben Shalën.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka dalë si partia e parë në komunën e Drenasit.