Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij pas dorëheqjeve së tre policëve të rinj nga komuniteti serb.
Ai ka thënë se po i përcjellë nga afër këto zhvillime, derisa ka theksuar se zyrtarët policorë duhet të punojnë pa kërcënime.
“Ndajmë plotësisht këto shqetësime dhe përsërisim përkushtimin tonë ndaj forcës policore multietnike të Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe zyrtarët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë pa kërcënime. Po përcjell nga afër këto zhvillime”, ka shkruar ai pasi ka shpërndarë reagimin e shefit të EULEX-it në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se po i ndjekin me shqetësim dorëheqjet e tre policëve serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës.
“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posa rekrutuar serbë të Kosovës në Policinë e Kosovës (PK). EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese”, ka shkruar Barbano.