UBT News

​Hoti shprehet i bindur se LDK do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti është shprehur i bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të dalë si partia e parë në zgjedhjet që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hoti tha se janë favoritë për t’i fituar zgjedhjet dhe se tash iu mbetet që të përgatisin një listë për të kandiduar në zgjedhje.

“Të gjitha i diskutojmë tani jemi në përgatitje për të shkuar në zgjedhje. Nëse i shihni veprimet që i kemi ndërmarrë për 6, 7 muaj në krye të qeverisë ne jemi favoriti kryesor për të fituar në këto zgjedhje. Ju e dini si e kemi gjetur vendin plotësisht të bllokuar, me sanksione ndërkombëtare. E kemi hapur komplet, jemi në mesin e tri katër vendeve që e ka menaxhuar më së miri pandeminë. Unë jam i bindur që jemi favoriti për t’i fituar zgjedhjet, tash kemi përpara për të përgatitur një listë”, tha ai.

Hoti tha se beson që shumë shpejt do të dakordohen me grupet parlamentare për ta miratuar buxhetin e vitit 2021.

“Jemi duke diskutuar, besoj që së shpejti do të dakordohemi. Nga dje kemi filluar bisedën me të gjitha grupet parlamentarë për të kërkuar që të bëhemi bashkë që të kalojmë buxhetin, përfshirë edhe LVV-në. Është tepër e rëndësishme të mos hyjmë në janar pa buxhet të miratuar sepse do të kemi vështirësi të panumërta”, tha ai.

Hoti u pyet edhe për 2.1 milionë euro të Thesarit të Shtetit, për çka tha se çështja është duke u hetuar dhe se pret të ketë rezultate së shpejti.

Këto komente Hoti i bëri në hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.

Exit mobile version