Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili garon për shef të ekzekutivit në zgjedhjet e 14 shkurtit, po shprehet i bindur se do të fitojnë këto zgjedhje.
Për këtë, Avdullah Hoti po thotë se qytetarët e Kosovës janë pro demokracisë, e jo pro shamive të kuqe dhe kthimit të sistemit të autokracisë. Madje, sipas tij, të gjithë ata që për vjet të tëra kanë kundërshtuar ata, do të mbesin pakicë.
Në tubimin në Viti, kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti tha se nga sot duhet të festohet fitorja e zgjedhjeve nacionale të parakohshme të së dielës. Sipas tij, ka më shumë persona që e duan demokracinë, se sa atyre që i përkasin shamive të kuqe e të orientuar nga lindja.
“Kudo që po shkojmë në komuna, Zoti verë e ka bërë gjithkah, edhe sot është ditë e mrekullueshme këtu në Viti. Edhe të hapet rruga, të çelen dyert kur ke miq të mirë. Unë jam i bindur që të dielën do të festojmë me fitore, sepse kudo që shkojmë, nëpër degë tona, ku do që bisedojmë qoftë me biznese, bujq, me arsimtarë, me mjekë, me bashkatdhetarë tonë nga mërgata, jam i bindur që shumica e qytetarëve janë njerëz që e duan demokracinë, jo njerëz që duan të kthejnë vendin prapa në autokraci”, ka thënë Hoti.
Bartësi i Listës së Lidhjes Demokratike e Kosovës shtoi se Kosova ka më shumë njerëz të arsyeshëm, të cilët e duan demokracinë dhe janë të bindur që e vetmja rrugë është miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në zhurmën e madhe mediatike, zëri i arsyeshëm nuk ka mund të dalë në sipërfaqe, sa duhet. Edhe pse e kemi thënë qartë, zhurma e madhe mediatike me qëllime destruktive nuk ka lejuar të dalë në sipërfaqe zëri i arsyeshëm. Puna që është bërë gjatë këtyre gjashtë muajve bazohet në trashëgiminë e madhe të LDK-së. E kemi gjetur këtë vend të izoluar, me sanksione ekonomike, për disa javë kemi shkuar në Shtëpinë e Bardhë e kemi nënshkruar marrëveshjen 1 miliard dollarë”, ka thënë Hoti.
Hoti theksoi se në marrjen e mandatit, kanë marrë kërcënime për tërheqjen e trupave amerikane, por që viti u përmbyll me vendimin që Ushtria e Kosovës të bëhet pjesë e asaj amerikane. Ai u zotua se kanë mbështetje të mëdha, për çka tha se fitorja e tyre nuk është vetëm e partisë, por e gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Janë të njëjtit njerëz që kanë kërkuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë në fillim të viteve të 90-ta, janë të njëjtit njerëz që kanë kundërshtuar marrëveshjen e Rambujesë. Janë të njëjtit njerëz që i kanë nxjerrë në sheshet në Prishtinë dhe njerëzit janë vrarë për planin e Ahtisaarit që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Edhe sot janë të njëjtit njerëz, por gjithmonë kanë qenë pakicë në Kosovë, prandaj ne kemi për të fituar. Do të mbesin gjithmonë pakicë, sepse shpirti i lirë i qytetarëve të Kosovës është pro demokracisë, jo pro autokracisë. Jo pro shamive të kuqe, jo pro kthimit të sistemit të mëparshëm. Ata që janë gjeneratë më e vjetër, e dinë se çfarë do të thotë ajo”, ka deklaruar Hoti.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti tha se nuk ka dilemë se kjo komunë dhe gjithë Kosova është me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, anëtarët, veteranët, forumet dhe qytetarët janë me filozofinë e Ibrahim Rugovës, e cila siç tha ai, trasohet edhe sot.
“LDK është udhëhequr nga akademikët, nga ajka e mendimit intelektual politik, prej presidentit Rugova, akademik Aganit, por edhe sot në listën e LDK-së është ajka e mendimit aktual politik, e cila në program qeverisës në preambulë i ka orientimet euroatlantike, inkuadrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian në OKB e NATO dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. LDK nuk lëshon pe nga kjo, por konkurron me program dhe jo me protesta”, ka deklaruar ai.
Në ditën e tetë të fushatës zgjedhore, para qytetarëve të Vitisë, Avdullah Hoti shtoi se kanë projekt 4 miliardë eurosh, ku 1 miliard janë të kontraktuara nga marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë.