Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mashtrim të qytetarëve sa i përket procesit të privatizimit.
Në një status në Facebook Hoti ka shkruar se privatizimi është duke vazhduar valë-valë, përkundër deklarimeve të zyrtarëve të partisë në pushtet se privatizimet do të vlerësohen.
Postimi i Hotit:
VAZHDON PRIVATIZIMI VALË-VALË‼️
Mos harroni: më 15 mars është afati për dorëzimin e ofertave për “Valën 62” të privatizimit. ‼️
Mashtrimet po dalin në shesh çdo ditë. Për dhjetë vite shanin e akuzonin secilin për privatizim, me e pa të drejtë. I mashtronin qytetarët se do të vlerësojnë privatizimet, dhe do të themelojnë Fondin Sovran me asete të Agjencisë së Privatizimit. Sapo erdhën në pushtet, privatizimi po vazhdon valë-valë.
Ja faktet që dëshmojnë mashtrimet:
1. Programi zgjedhor i VV-së, faqe 11: “Agjencinë Kosovare të Privatizimit do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran.”
2. Fjala e Kurtit në Kuvendin e Kosovës më 17.05.2021, në prezantimin e Programit Qeverisës 2021-2025: “Agjencinë Kosovare për Privatizim do ta shuajmë dhe do ta transferojmë në agjenci brenda Qeverisë, e do të krijojmë Agjencinë Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.”
3. Programi Qeverisës 2021-2025, faqe 9: “Do të angazhohemi për krijimin e Fondit Sovran. Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Po ashtu, Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë.”