UBT News

​Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit ka thyer izolimin ndërkombëtar, kritikuesit të kërkojnë falje

Ish-kryeministri Avdullah Hoti deklaroi sot në Kuvend se me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka thyer izolimin e saj ndërkombëtar.

Në debatin parlamentar për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, të propozuar nga LDK, deputeti Hoti ka vlerësuar se kjo marrëveshje ka krijuar edhe një momentum të ri në marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Me këtë marrëveshje, edhe përmes një qeverisje parimore dhe konsultative si brenda ashtu edhe me miqtë ndërkombëtar, ne kemi thyer izolimin ndërkombëtar që i kishte ndodhur Kosovës… duke qenë se sponzorizohet drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, edhe nga presidenti amerikan, vlerësohej si një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt marrëveshjes finale. Prandaj, mbi këtë qasje është arritur marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë. Për tej kësaj, këtë marrëveshje duhet parë edhe si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare… Ata që nuk e kuptojnë këtë filozofi të veprimit politik, nuk e kuptojnë edhe qëllimin e kësaj marrëveshje. Unë ju ftoj ta pyetni veten se cili ka qenë qëllimi i vendimeve tona politike në fillim të viteve 90-ta… Marrëveshja e Uashingtonit ka krijuar një momentum të ri edhe në marrëdhëniet BE-SHBA, duke qenë se tash SHBA-të marrin një rol të rëndësishëm politik edhe ekonomik në regjion. Prandaj, këtë marrëveshje duhet parë si hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, theksoi Hoti.

Deputeti Hoti foli edhe për ata të cilët sipas saj tij e kanë fyer dhe kritikuar për nënshkrimin e marrëveshjes, duke i quajtur naivë dhe mashtrues.

“Jam kritikuar në këtë kuvend me gjuhë shumë të pa përshtatshme nga opozita e atëhershme. Kur unë deklaroja se i besoj Shtëpisë së Bardhë se njohja nga Izraeli është e kryer, popullistët me gjithfarë epitetesh, jashtë çdo norme e etike, duke më shtrembëruar edhe emrin dhe me epitete të ndryshme fyese. Ata popullsitë sot i kemi edhe në kuvend, edhe në qeveri, edhe në presidencë. Sot është e qartë, se ato epitete i meritojnë ata dhe jo unë. Është e ditur se kur një person të fyen dhe të nënçmon, ai në fakt më së shumti flet për veten e vet. Sot, ata njerëz nuk kërkojnë falje, as ndaj meje as ndaj Shtëpisë së Bardhë për mos respekt dhe mos besim. Këta persona unë i kategorizoj në tri grupe, nën një, ata ose janë mashtrues që kanë vepruar për qëllime elektorale ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare ose janë të orientuar dika tjetër dhe nuk donë që konsolidimin e shtetësisë së Kosovës ta bëjnë përmes Shtëpisë së Bardhë, por me qendra të tjera”, tha ai.

Deputeti Hoti propozoi që në fund të debatit parlamentar të miratohet një rezolutë që sipas tij do t’i ndihmojë Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

Exit mobile version