Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur të arritur të madhe marrëveshjen e nënshkruar sot me Shtetet e Bashkuara të Kosovës (ShBA). Kjo marrëveshje sipas tij, siguron financimin për bizneset kosovare dhe projektet që janë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit.
Kjo marrëveshje sipas tij, është në kuadër të asaj të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.
“Të gjithë ata që e kanë kritikuar këtë marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, tash po i shohin përfitimet që i kemi nga kjo marrëveshje. Duke filluar nga pika doganore në Merdarë, ku janë thjeshtësuar procedurat dhe është integruar pika kufitare atje. Sot bëmë një marrëveshje të re, ku siguron financimin për bizneset kosovare dhe për projektet që janë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit. Besoj që është një e arritur e madhe për shtetin e Kosovës nënshkrimi i kësaj marrëveshje dhe ne tash na hap rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera financuese për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e Uashingtonit”, deklaroi ai.
Veç tjerash, ai potencoi se ky vit ka qenë sfidues, për çka u zotua se për gjashtë muaj janë treguar rezultatet, që një qeveri tjetër sipas tij do të duhej të kalonte një vit punë për të arritur ato.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, nënshkruan Marrëveshjen për Nxitjen e Investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të SHBA-ve, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike.