Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, tha të premten, gjatë takimit me strukturat e partisë në Podujevë, se Qeveria Kurti e kishte dërguar vendin buzë shkatërrimit duke e shndërruar Kosovën në Kore të Veriut, me sanksione të ashpra ndërkombëtare.
“Është momenti me e ditë qytetarët që qeveria paraprake e ka izoluar vendin dhe ka qenë duke e dërguar vendin në shkatërrim total duke e kthyer Kosovën në Kore të Veriut, duke i prishur marrëdhëniet edhe me Tiranën, diçka që askush se ka paramenduar. Kjo ka qenë arsyeja pse ne është dashur të marrim vendimin me u tërheq prej qeverisë paraprake. Falë qeverisjes tonë shumë prej këtyre dëmeve janë sanuar dhe Kosova është kthyer në kursin perëndimor”, tha Hoti.
Ai foli edhe për zyrtarizmin e bashkëpunimit të djeshëm ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.
“Ajo që ndodhi dje e ka vërtetuar atë shprehjen e kamotshme popullore që secili e merr atë që e meriton. Në fund sillesh e pështillesh edhe e merr atë që meriton. Me atë marrëveshje që dje e kanë arritur e kanë marrë atë që ë meritojnë, të dytë së bashku në pako. Besoj që Podujeva dhe Llapi duhet të bëhet gati që të dyve bashkë t’ju tregojë vendin”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.
Sipas tij, në këto zgjedhje LDK nuk ka vetëm kundërshtarë politikë, por ka kundërshtarë të shtetit të Kosovës që synim kanë rrënimin e demokracisë.
“E kemi pa ditë me parë se çka ndodhi në Uashington dhe kjo është me rëndësi të kuptojmë se ne duhet të angazhohemi për të ruajtur demokracinë sepse demokracia rrezikohet në çdo vend e edhe në SHBA. E këta kundërshtarët tanë që i kemi përballë në këto zgjedhje janë duke e rrezikuar demokracinë tonë. Por LDK do të mobilizohet dhe do t’u dalë përballë përpjekjeve të tilla”, tha Hoti.
Ai kërkoi mobilizim të llapjanëve për zgjedhjet e 14 shkurtit, në mënyrë që LDK të arrijë të ndalë shkatërrimin e Kosovës.