UBT News

​Homazhe në 33-vjetorin e rënies së Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë

Me rastin e 33-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, zyrtarë institucionesh, bashkëluftarë e familjarë kanë bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

Homazhe bëri Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin shembulli më kuptimplotë, i cili frymëzoi edhe brezat që erdhën pas.

“Erdhëm për t’i bërë nderimet për heronjtë tanë, të cilët këtu e 33 vite më parë e dhanë shembullin më të vyer se si jepet jeta për lirinë e atdheut. Sepse ata me pushkë në dorë i luftuan forcat e okupatorit dhe ranë heroikisht në krye te detyrës. Kjo është edhe arsyeja që do t’i nderojmë dhe kujtojmë gjithmonë, sepse ishin shembulli më kuptim plotë i cili frymëzoi pastaj edhe brezat që erdhen më pas…Mijëra djem e vajza në vitin 1998/99-të u bashkuan në UÇK-në, duke përjetësuar shembullin e Afrimit dhe të Fahriut se si me pushkë në dorë duhet t’i dilet përpara okupatorit dhe nëse është nevoja të jepet jeta e të sakrifikohet ajo për lirinë e popullit tonë dhe të brezave të ardhshëm. Kështu sa të ketë gjallë populli shqiptar do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë”, tha Konjufca.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas homazheve tha se këta heronj do t’i nderojnë çdo herë.

“Jemi në nderim të heronjve, Afrim Zhitija dhe Fahri Fazliu, janë pishtarë të lirisë, ata që ndriquan rrugën për liri shumë luftarëve të zotë e të mendimtarëve. Përulemi me respekt”, tha Haradinaj.

Me rastin e 33-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, edhe motra e heroit Zhitia, Sadetja e ka kujtuar si një njëri qe e ka dashur gjithnjë lirinë dhe barazinë në vend.

“Vëllaun tim e kujtoj si një çun që e ka dashur lirinë shumë dhe liria për të nuk e ka pasur dimensionin vetëm lirinë kundër pushtuesit, por ka qenë një njeri që e ka dashur lirinë e të menduarit, vepruarit e barazinë gjinore dhe ka qenë një njëri përparimtar që asnjëherë sikur të kishte pasur mundësi nuk e kish marrë armën në dorë…Një njeri që e ka dashtë përparimin dhe emancipimin e vendit, por për t’i arritur zhvillimet e vendit ai e ka pasur si kusht për domosdoshmëri krijimin e një shteti të forte institucional, i cili do të na ndihmonte që t’i realizonim këto ide të tij të cilat ishin për barazi”, tha Zhitia.

Zhitija tregoi edhe momentin e fundit me vëllain.

“Momentin e fundit me të e kam pasur pikërisht këtu ku pushojnë eshtrat e tij. Kur jemi ndrë për herë të fundit, porosia e tij ka qenë që kurrë të mos e ulim kokën dhe sidomos unë si vajzë të jem një shembull i mirë për motrat e atyre që do të bien për luftën për liri, dhe të jem një shembull i mirë për gruan shqiptare në emancipimin dhe kërkimin e barazisë, ky është momenti më i bukur”, ka rrëfyer Zhitia.

Vëllai i heroit Fahri Fazliu, Fadili ka falënderuar të gjithë ata që morrën pjesë në homazhe me rastin e 33-vjetorit të dy heronjve.

Exit mobile version