UBT News

​Historianët e Deçanit e mbështesin vendimin e Qeverisë për targat ilegale

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, përshëndet dhe përkrah pa rezerva vendimin e kryeministrit të Albin Kurti për të mos e shtyrë vendimin për targat me iniciale nga koha e regjimit të Millosheviqit që përdoren nga serbët në Kosovë.

Në një komunikatë për media thuhet se zbatimi i këtij vendimi nga fillimi i muajit nëntor 2022, është një sinjal i qartë se shteti jonë po shkon drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të vendit, i cili që nga koha e pas luftës çlirimtare të vitit 1998-1999, është mbajtur nën shtetrrethim të egër nga qarqet kriminele serbe.

Historianët bëjnë thirrje për unitet politik e mbarë shoqëror në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale.

Për më tepër, Lidhja e Historianëve të Kosovës konsideron se shtetet mike në krye me ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe vendet e tjera “na respektojnë e vlerësojnë edhe me tej, kur ne jemi të vendosur e unik në qëndrimet dhe vendimet tona si shtet”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të ketë më shtyrje të vendimit për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia pas datës 31 tetor.

Targave KM, GL, PR, PZ, DE, UR, DJ, që janë de-nominime serbe për qytetet e Kosovës, u ka skaduar afati i përdorimit në shtator të vitit të kaluar. Konvertimi në targa RKS siguron lëvizje të lirë në të gjithë Republikën e Kosovës. 

Exit mobile version