UBT News

​Hill kërkon shpjegime nga Serbia për marrëveshjen me Rusinë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se pret shpjegime nga Serbia se çfarë përmban dokumenti i bashkëpunimit që ka nënshkruar me Rusinë gjatë punimeve të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar.

Gjatë një konference për media në hapjen e një forumi rajonal për qeverisje të mirë, Hill tha se “nuk është plotësisht e qartë se çfarë përmban dokumenti, por se në këtë moment askush nuk do të duhej të nënshkruante diçka me Rusinë”.

Edhe ashtu askush nuk është duke nënshkruar diçka me Rusinë. E kemi të vështirë ta kuptojmë, por presim shpjegim”, tha Hill.

Ai shtoi se ShBA-ja mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe po ashtu mbështet heqjen dorë nga varësia e saj energjetike ndaj Rusisë “që bazohet në shantazh”, por kjo ndihmë do të jetë aq sa kërkon Serbia.

Ambasadori amerikan tha se ShBA-ja do që të dëgjojë se çfarë dëshiron Serbia me nënshkrimin e një marrëveshjeje me një shtet që “brutalisht sulmoi fqinjin e tij” dhe po kërcënon që të përdorë armë bërthamore.

Ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Rusisë, Nikolla Sellakoviq, dhe Sergei Lavrov, më 23 shtator nënshkruan në Nju Jork Planin e Konsultimeve mes dy ministrive për dy vjetët e ardhshme.

Sipas Serbisë, kjo marrëveshje u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuel Jofre, tha se Serbia nënshkroi një dokument bashkëpunimi me Rusinë, në kohën kur Moska po vazhdon pushtimin e Ukrainës.

Jofre tha se BE-ja pret “që Serbia të qëndrojë në mbrojtje të vlerave evropiane dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia dërgoi një mesazh krejtësisht të kundërt, pavarësisht se deklaroi se nuk do të njihte rezultatet e referendumeve të rreme që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, tha se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur nisi pushtimi rus në Ukrainë.

Pavarësisht se Serbia ka votuar disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës – që ka nisur më 24 shkurt – Serbia refuzon thirrjet që të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të harmonizojë politikën e jashtme me BE-në.

Exit mobile version