UBT News

​Haziri: Në zgjedhje garojmë të vetëm, synojmë vendin e parë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, duke rrëzuar Qeverinë Hoti. Por akuzon Komisionin Qendror Zgjedhor për certifikimin e deputetit Arifi.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për KosovaPress thotë se LDK-ja çdo herë ka pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por që këtë të fundit po e paguajnë për shkak të tjetër kujt, duke iu referuar KQZ-së.

“Vendimi i Gjykatës nga ana e LDK-së është pranuar gjithmonë, pavarësisht cili ka qenë verdikti i saj, pavarësisht cila palë ka dërguar rastin në Gjykatë për të zbardhur dyshime të caktuara. Në këtë rast, Gjykata ka konstatuar që vota e një deputeti ka qenë e pavlefshme për shkak të vendimit të prerë të Gjykatës Supreme, e që në fakt ka të bëjë me organet tjera kushtetuese. Ka të bëjë me KQZ-në, e cila ka certifikuar deputetin dhe nuk ka qenë në varshmëri. Faktikisht, në dëm të tjetërkujt, Qeveria e paguan çmimin tash të legjitimitetit”, thotë ai.

Pas këtij vendimi vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh. E Haziri thotë se LDK-ja do të hyjë e vetme në garën zgjedhore, teksa tregon nëse kanë vija të kuqe për ndonjë subjekt politik. Siç thotë ai, LDK do të garojë në këto zgjedhje të parakohshme për të dalë fituese.

“Ne do të garojmë për të dalë fitues, natyrisht si gjithmonë. Lista do të përmbajë emra më kredibil, më përfaqësues dhe përkundër garës së vështirë që pritet me qenë. Nuk do të jetë e lehtë, por natyrisht që ne konkurrojmë për të dalë fitues në këto zgjedhje. Nuk pritet ndoshta në raport me LDK-në me ndodh asgjë tjetër pos që LDK-ja parimisht do të garojë e vetme. Nëse arrijmë me ndërtua koalicione ideologjike ose koalicione parimore, është çështje krejt tjetër, por jo me rivalët politikë, nuk pritet me pas koalicion me rivalët politikë. Rivalët politik janë Vetëvendosja dhe PDK-ja”, thekson Haziri.

Nënkryetari i LDK-së thotë se deri më tash si subjekt nuk kanë diskutuar për ndonjë emër për postin e kryeministrit apo presidentit.

“LDK-ja ka ofruar ndihmën e vet për të ndërtuar një konsensus më të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit. Por nuk ka pasur asnjë emër në tavolinë për postin e presidentit apo kryeministrit në opsionin e zgjedhjeve. Tash fillon debati i brendshëm i partive politike për të vendosur emrat për kandidatura”, thekson ai.

Exit mobile version