UBT News

​Haxhiu thotë se projekt-kodi civil do të procedohet sërish në Kuvend

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në njëvjetorin e punës së Qeverisë Kurti 2, ka vlerësuar punën e kësaj ministrie, duke thënë se procesi i vettingut mbetet prioritet kryesor i saj. Ajo në një konferencë për media ka thënë se qeverisja e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dëshmoi se mund të punohet pa e keqpërdorur buxhetin e shtetit.

Haxhiu ka bërë të ditur se gjykata komerciale do të funksionalizohet shumë shpejt, ndërkohë që janë në përfundim të punës për përmbaruesit dhe njësoj do të veprojnë edhe për tarifat e noterëve.

E para e drejtësisë foli edhe për mosmiratimin e kodit civil në Kuvend, e për të cilin tha se do të dërgohet sërish për miratim.

“Mos miratimi i kodit civil në Kuvend nuk është mirë, dhe si ministre nuk diskutoj për të drejtat e njeriut. Puna e mirë do të vazhdohet dhe kodi civil do të projektohet sërish në Kuvend”, tha ajo.

Sa i përket vettingut, ajo tha se mbetet koncept kryesor i ministrisë dhe se janë të vendosur që ky proces të jetë i përgatitur mirë. Ajo ndërkaq ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji do të shkojë për vizitë në Hagë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës nuk ia ka dhënë dritën jeshile projekt-kodit civil. Arsyeja e kundërshtimit ishte një nga nenet, i cili hapë rrugën për ligjin që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

Ndërsa, reforma për realizimin e vettingut, pritet të analizohet nga Komisioni i Venecias.

Ministria e Drejtësisë ka vendosur që vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese, për çka kërkohen 2/3 në Kuvend, përfshirë edhe ato nga komunitetet.

Exit mobile version