UBT News

​Haxhiu reagon pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj, duke thënë se dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e tilla, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë.

Ajo ka shkruar në Facebook se dje nga mediat mësuan se një tjetër dhunim ndaj një gruaje të re 18-vjeçare ka përfunduar me fatalitet.

“Inkurajimit të qytetarëve për të raportuar dhunën, duhet t’i përgjigjemi me veprime konkrete, në gjetjen e dhunuesve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë. Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal. Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve. Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj dha detaje të tjera në lidhje me rastin tragjik që ndodhi në Ferizaj ku një 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencë pa shenja jete.

Prokuroria thotë se i dyshuari D.K., i cili gjendet në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Tashmë D.K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me vendim të prokurorit, është ndaluar personi tjetër me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Exit mobile version