Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka prezantuar punën njëvjeçare të ministrisë që ajo drejton. Ajo në një konferencë për media tha se kanë arritur të realizojnë reforma në drejtësi dhe të përmirësojnë kornizën ligjore, teksa fokusi kryesor vazhdon të mbetet vettingu në drejtësi.
E para e drejtësisë kosovare tregoi se në fund të këtij muaji do të realizojë një vizitë në Hagë, derisa ka shtuar se gjatë një viti të qeverisjes së saj kanë dëshmuar se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe të punojë në përmbushjen e qëllimeve, dhe pa e keqpërdorur buxhetin e shtetit.
“Sot bëhen një vit kur kam pranuar detyrën si ministre e Drejtësisë. Gjatë këtij viti kemi dëshmuar se në Kosovë mund të ketë qeveri të pa korruptuar, pa skandale, e cila është e përkushtuar në përmirësimin e jetës së qytetarit dhe krijimit të shtetit të së drejtës. Gjatë këtij viti kemi dëshmuar se një qeveri në Kosovë mund të veprojë dhe mund të punojë në përmbushjen e qëllimeve për të mirën e përgjithshme, pa keqpërdorur buxhetin e shtetit dhe taksat e qytetarëve duke u minimizuar shpenzimet. Në këtë vit qeverisje Ministria e Drejtësisë ka punuar vazhdimisht për reformën në drejtësi duke hartuar politika dhe kemi përmirësuar kornizën ligjore në vend me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë pakon ligjore të korrupsionit dhe që lidhen me ligjin për deklarimin e pasurisë dhe ligji për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikuar”, tha ajo.
Haxhiu foli edhe për reformat në sistemin prokurorial ku tha se do të trajtohet me prioritet, derisa në Kuvend është proceduar projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim të zhdukjes së parregullsive. Ajo ka folur edhe mbi procesin e vettingut për të cilin tha se mbetet prioritet kryesor i ministrisë që ajo drejton dhe se për këtë çështje ka kërkuar takim edhe me partitë opozitare, por që këta të fundit nuk i janë përgjigjur
“Vettingu është kërkesë shoqërore, është i vetmi çelës që ne e kemi në duar për ta bërë Kosovën shtet të së drejtës. Por gjatë kësaj kohe ka pasur sfida sidomos në drejtim të konsensusit politik për këtë çështje, pra edhe përkundër faktit që ne kemi thirrur në disa takime subjektet opozitare me qëllim të njoftimit të tyre për procesin e vettingut, qoftë me koncept-dokumentin, qoftë me amendamentin kushtetuese deri tani këto takime nuk kanë ndodhur, për faktin se është e rëndësishme se për reformën në drejtësi pavarësisht dallimeve që mund të kemi me subjektet e tjera politike për çështje të ndryshme besoj që reforma në drejtësi do të duhej të kishte konsensus politik edhe brenda Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.
Ndërsa mosvotimin e projekt-kodit civil në Kuvend, ministrja Haxhiu e ka parë si një gjë jo të mirë, por për të cilin dokument tha se do të procedohet sërish në Kuvend.
“Mosvotimi i kodit civil në Kuvend nuk ka qenë lajm i mirë, sepse sipas Kushtetutës konsiderohet një dokument shumë i rëndësishëm, andaj edhe do ta riprocedojmë në Kuvend për faktin se rregullorja nuk parasheh ndonjë afat në rastet kur Kuvendi nuk voton një dokument, andaj duke pasur parasysh që nuk ka afat ne do ta riprocedojmë kodin civil”, tha Haxhiu.
Derisa ka folur për punët e përfunduara gjatë këtij njëvjeçari, ministrja e Drejtësisë ka bërë të ditur se do të zhvillojë një vizitë në Hagë së bashku me Komisionin e Legjislacionit, një anëtar të saj dhe nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci.
“Unë bashkë me komisionin për legjislacion, kryetarin e komisionit për legjislacion dhe një anëtarë të komisionit për legjislacion, kryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kemi planifikuar ta kemi një vizitë në Hagë dhe është e vërtetë që disa prej tyre nuk kanë pritur Ministrinë e Drejtësisë vitin e kaluar, mirëpo si Ministri e Drejtësisë kemi për obligim të bëjmë kërkesa për të gjithë, pavarësisht dallimeve politike për çështje që i kemi e që kanë ndodhur pas luftës, sepse sa i përket luftës së UÇK-së ne kemi unifikim. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim andaj problemet e pasluftës pulitke me ta nuk më bëjnë mua të mos i vizitoj, por mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta presin apo jo Ministrinë e Drejtësisë”, tha Haxhiu.