UBT News

​Haxhiu: Nuk do të ketë kërkesë për konfiskim të pasurisë nëse një zyrtar arrin të dëshmojë se e ka krijuar atë në mënyrë të ligjshme

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përgjigjur në pyetjet e deputetëve rreth projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo ka thënë se pala ka të drejtën e justifikimi të pasurisë pranë institucionet dhe ka të drejtë të luftojë deri në Gjykatën Kushtetuese nëse konsideron që është marrë një vendim jo i drejtë.

Haxhiu duke theksuar rëndësinë e këtij projektligji ka thënë se në Kosovë që nga paslufta ka zyrtarë të cilët janë bërë milionerë duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

“Sa i përket çështjes së të drejtës për ankimim, pala ka të drejtën e justifikimit të pasurisë pra pranë institucionit, mirëpo nëse gjykata vlerëson që pasuria është e pajustifikueshme dhe me vendim e konfiskon, ajo e ka të drejtën deri në shkallën e tretë, madje deri në Gjykatën Kushtetuese që të luftojë mbi të drejtat nëse konsideron që është marrë një vendim jo i drejtë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa lidhur me periudhën kohore që është përcaktuar të jetë nga shkurti i vitit 2008, Haxhiu ka thënë se kjo është vendosur meqë para këtij viti nuk ka ekzistuar një sistem i konsoliduar financiar.

“Pse është vendosur fushë veprimi kohor nga 17 shkurti 2008, data 17 shkurt 2008 është përcaktuar për arsye konkrete praktike që kanë të bëjnë me dy aspekte kryesore, së pari përpara vitit 2008 nuk ka ekzistuar një sistem i konsoliduar financiar dhe bankar, besoj që këtu pajtohemi të gjithë, si rrjedhojë jo formaliteti në transaksione të pasurisë ka qenë shumë fish më i lartë, në rrethana të tilla subjekti në procedurë do të vihej në pozitë gati të pamundur që të prezantojë dokumentin që do të justifikonin prejardhjen e pasurisë dhe aspekti i dytë është edhe për shkak të remitencave që kanë ardhur nga mërgata jonë dhe të cialt jo gjithmonë mund të jenë të justifikueshme nga një zyrtar”, ka thënë ajo.

Ajo ka sqaruar pse është e vendosur kufiri nga 25 mijë euro.

“Prandaj edhe kemi vendosur kufirin 25 mijë sepse nëse vlera është më e madhe se 25 mijë atëherë ekzistojnë të drejtat e institucioni për të kërkuar llogari mbi pasurinë. Dhe keni parasysh. Ky projektligj nuk ka për qëllim që domosdo si të është shpërputhja e 25 mijë menjëherë të nisë procedurat e konfiskimit të asaj pasurie pranë gjykatës, jo, në momentin kur një zyrtar arrin të dëshmojë pranë institucionit që të ardhurat e tij, pasuria që ka krijuar është në përputhje me punën e tij të ligjshme atëherë në asnjë rrethanë nuk do të bëhet kërkesë në gjykatë për konfiskim të pasurisë. Keni parasysh që në Republikën e Kosovës që nga paslufta kemi zyrtar të cilët duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare sot janë bërë milionerë”, ka thënë Haxhiu.

Në seancë plenare, Kuvendi i Kosovës po shqyrton projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Pas kërkesave të partive opozitare, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se do të dërgojë këtë projektligj për opinion në Komisionin e Venedikut. 

Exit mobile version