Dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues në vend, për çka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot gjatë një vizite në komunën e Gjakovës ka ofruar mbështetje institucionale për adresimin e kësaj dukurie.
Ministrja Haxhiu tha se rastet e dhunës në familje në rajonin e Gjakovës kanë shënuar rritje. Haxhiu tha se vetëm në vitin 2022 ishin të raportuara mbi 200 raste.
“Nëse i shohim statistikat në regjion ku përfshihet Gjakova, Rahoveci dhe Malisheva kemi mbi 200 raste në vitin e kaluar, të cilat kanë qenë të raportuara. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me vitet paraprake në vitin 2021 dhe 2020. Por, ende besoj që është numër i vogël në raport me dhunën reale që ndodhë e që nuk raportohet. Prandaj, duhet një sensibilizim i opinionit së pari për t’i inkurajuar viktimat që mos të durojnë për rastet e dhunës psikike, seksuale, fizike e materiale sikurse edhe një veprim serioz institucional nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Sepse, viktima kur sheh se po dështon ky zinxhirë dekurajohet dhe nuk e raporton dhunën”, tha Haxhiu.
Pas takimit me kryetarin Gjini, Haxhiu premtoi mbështetje edhe për strehimoren e viktimave në Gjakovë.
“Me kryetarin Gjini diskutuam për çështje të ndryshme, por kryesisht për një fenomen që është goxha i shprehur në shoqërinë tonë, që ka të bëjë me dhunën në familje, dhunën në baza gjinore dhe dhuna ndaj grave. Pesha fjalëve e kryetarëve të komunave përfshirë kryetarin Gjini është shumë e madhe tek qytetarët, prandaj adresova çështjet që ndërlidhen me mbështetjen për Strehimoren në Gjakovë. Pastaj një vëmendje dhe fokus për Qendrën për Punë Sociale, që është ‘dera’ e parë në të cilën drejtohen viktimat në rastet kur ata ose ato kanë nevojë. Ndërsa, pash një vullnet tek kryetari Gjini për adresim për këto çështjeve”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se pati një fokus të theksuar në takimin e sotëm me ministren për veprimet institucionale në uljen ose eliminimin e dhunës në familje. Gjini tha se Kosova është në rrugë të duhur për adresimin e këtij fenomeni që nuk është aspak i mirë për shoqërinë tonë.
“E patëm një fokus më të theksuar te veprimet dhe politikat të cilat duhet ndërmerren për uljen apo eliminimin e dhunës në familje. Kosova është në rrugë në rrugë të mirë për adresimin e këtij fenomeni që nuk është aspak i mirë për shoqërinë tonë. Besoj që këmbëngulja dhe mbajtja e drejtimit të njëjtë ka me sjellë rezultate të mira në Kosovë, duhet vetëm mos me u dorëzua”, theksoi Gjini.
Ministrja e Haxhiu pritet që t’i vizitojë edhe komunat tjera për adresimin e rasteve të dhunës në familje.