Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësim për moskoordinimin institucional dhe mosveprimin e duhur në trajtimin e rastit të vajzës 11-vjeçares që ishte dhunuar. Lidhur me këtë është diskutuar në një takim të grupit ndërministror kundër dhunës në familje, të thirrur nga Haxhiu.
Në këtë takim është diskutuar mbi përgjigjen institucionale dhe mospërgjigjen e disa prej institucioneve përgjegjëse të përmendura në rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit për rastin e 11-vjeçares.
“Gjatë takimit të sotëm, ndër të tjera u diskutua për përgjigjet e institucioneve si dhe mos përgjigjet e disa prej tyre. Ministrja Haxhiu ka vlerësuar se është shqetësuese që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, nuk kanë kthyer përgjigje rreth rastit në fjalë, kjo sidomos kur bëhet fjalë për rastin e viktimave të dhunimeve seksuale fëmijë. Për trajtimin e rastit të vajzës 11 vjeçare, Ministrja ka shprehur shqetësimin e saj për mos koordinimin institucional dhe mos veprimin e duhur në këtë drejtim. Andaj, Grupi Koordinues u dakordua për një takim urgjent të personave përgjegjës që të adresohet saktësisht dhe detajisht secili veprim dhe mosveprim i tyre”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.
Gjithashtu është theksuar se nga pranimi i planeve të veprimit dhe dokumenteve të tjera relevante për rastin në fjalë, Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësimin e saj për trajtimin dhe plotësimin shabllon të të gjitha dokumenteve në rastet që trajtohen.
Në këtë takim është njoftuar se ky format i dokumenteve nuk është përditësuar asnjëherë që nga viti 2003.