Ministrja Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, do të dalin sot para drejtësisë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Në aktakuzën e ngritur me 8 prill 2016 thuhet se më 19 shkurt 2016 rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
E gjithë kjo ka të bëjë me kohën kur partitë opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.
Ndërkohë që për gjashtë herë ka dështuar që të mbahet seanca rreth këtij rasti. Seanca e gjashtë e mbajtur me 1 prill dështoi meqë të akuzuarit deklaruan se nuk janë të pajisur më provat në shkresat e lëndës.
Kujtojmë që gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast tani do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku.