Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ua mundësojnë qytetarëve tërheqjen e një pjesë nga kursimet pensionale.
Ai ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak të krizës ekonomike derisa ka kërkuar nga komisionet dhe Kryesia që ta trajtojnë me urgjencë këtë kërkesë dhe e njëjta të paraqitet në seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se nga dje projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës është në dorën e deputetëve.
“Për fat të keq, qeveria e ka neglizhuar këtë kërkesë të qytetarëve dhe vetëm në ditën e fundit, në orët e vona ka dhënë mendimin negativ, mirëpo që i ka hapur rrugë Kuvendit të vendosë për projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës apo siç njihet Ligji për Trustin. Ky projektligj nga dje është në dorën e deputetëve. Sot kam një apel për të gjitha komisionet parlamentare të përhershme dhe Kryesinë e Kuvendit që këtë projektligj ta procedojë dhe ta trajtojë me urgjencë, për shkak të krizës ekonomike dhe në seancën e radhës të Kuvendit të kemi mundësinë ta adresojmë këtë kërkesë të qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka thënë se me këto mjete qytetarët do të mund të përballonin krizën ekonomike, ndërsa qeveria do të ndihmonte pastaj kategoritë e rrezikuara si të papunët, rastet sociale, pensionistët dhe studentët.