Në Konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës, mbi programet për kryerësit e dhunës në familje, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi përkushtimin institucional që po bëhet në adresimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Ajo i ka cilësuar rastet e dhunës si fenomen të dëmshëm dhe alarmant, njëherit që kërkon trajtim emergjent të institucioneve përkatëse që kanë përgjegjësi të parandalojnë dhe të reagojnë ndaj rasteve të tilla.
“Ministrja Haxhiu tha se pjesë integruese e dënimeve ndaj dhunueseve duhet të jetë edhe ofrimi i trajtimeve psiko-sociale për ta. “Qëllimi kryesor i shërbimeve psiko-sociale për kryerësit e dhunës është edukimi i tyre, ndryshimi i mendësisë dhe mësimi i metodave se si mos të përdorin sjellje abuzive në marrëdhëniet ndër-personale. Pas mbajtjes së dënimit për veprën penale respektive të kthehen në shoqëri dhe mos të përsërisin sjelljet abuzive, rrjedhimisht të ndalet cikli i dhunës”. Në kuadër të kësaj objektive të Strategjisë, me 2 dhjetor 2022 miratuam dhe lansuam “Kurrikulën për trajnimin e profesionisteve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje në Republikën e Kosovës” si një nga dokumentet kryesore të Kosovës në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.
Për hartimin e Kurrikulës Ministrja falënderoi mbështetjen e ofruar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë me ekspertizë e saj dhe në përputhje me Konventën e Stambollit dhe standardet ndërkombëtare, si dhe Grupin Punues për kontributin e tyre të çmuar gjatë procesit të hartimit të tij dhe përshtatjen e Kurrikulës për kontekstin vendor.
Ministrja rikujtoi se menjëherë pas miratimit të Kurikulës, po në dhjetor të vitit të kaluar u organizuan dy punëtori për Trajnimin e Trajnerëve, ku u certifikuan 41 profesionist nga ta: punëtor social, staf të Shërbimit Korrektues; staf të Shërbimit Sprovues; staf të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, staf nga strehimoret, zyrtarë të Agjencionit për Barazi Gjinore, punëtor shëndetësor dhe anëtar të shoqërisë civile.
Haxhiu tha se jemi në rrugë të mbarë për të themeluar programe të qëndrueshme për kryerësit e dhunës në familje, ku së shpejti si Ministre e Ministrisë së Drejtësisë, do të themeloj Grupin Punues për hartimin e programit të parë për kryerësit e dhunës, e cila do të mbështetet me ekspertizën e ofruar nga Këshilli i Evropës. Programi për kryerësit e dhunës fillimisht do të kaloj një fazë pilotuese ku do të mentorohet, monitorohet dhe vlerësohet, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e tij dhe aplikimi afatgjatë.