Me moton “Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale”, është shënuar dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë.
Shënimi i kësaj dite ka filluar me një marsh në qendër të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve.
E mbijetuara Vasfije Krasniqi synon që këtë ditë ta shndërrojë në forcë për të gjitha viktimat.
“Me ditën e sotme unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë e kurajë, tu jap forcë viktimave që zëri jonë të dëgjohet në tërë botën”, ka thënë Krasniqi.
Në marsh ka marrë pjesë edhe Shyrete Tahiri Sulimani, një tjetër e mbijetuar e dhunës seksuale.
“Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di që këta do të luftojnë çdo herë për neve, e nuk do të lënë qe me u harrua”, ka thënë ajo.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.
“Jemi bashkë e që bashkërisht ta ngrisim vetëdijen e shoqërisë për tmerrin që viktimat kanë përjetuar. Lufta në Kosovë pati pasoja të rënda. Mijëra gra dhe vajza, përfshirë edhe burra u dhunuan nga kriminelët e luftës. Përkujtojmë këtë ditë, do të njohim ndikimin e vazhdueshëm që krimet kanë tek viktimat. Si Ministri e Drejtësisë do të finalizojmë strategjinë për drejtësi tranzicionale”, ka thënë Haxhiu.
Zyrtarizmi i 14 prillit si Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës, është bërë në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Osmani kishte theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.