UBT News

​Haskuka prezanton pesë synimet kryesore të programit qeverisës

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shpalosur projektet infrastrukturore për katërvjeçarin e ardhshëm në krye të Prizrenit. Ai tha se përmes ndërtimit të unazës së brendshme të qytetit do të mundësohet rregullimi i trafikut dhe gjendja e rrugëve të tranzitit të Prizrenit.

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore të balotazhit të 14 nëntorit, Haskuka tha se përmes këtyre projekteve do të krijohen hapësira më të mëdha për këmbësor, biçikleta dhe parkingje më të mëdha.

Në një konferencë për medie, ai premtoi ruajtjen e qendrës historike të Prizrenit dhe rikthimin e kalldrëmit në lagjen bazhdarhane.

“Programin tonë qeverisës kemi pasur 5 synime kryesore, ndër më të rëndësishmet është që Prizrenit ta shndërrojmë në kryeqendër të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit të gjelbër me zonën më të madhe kombësorike në rajon, prandaj këto projekte janë në funksion të asaj…Qëllimi i unazës së brendshme është që riorganziojmë qarkullimin e trafikut, ku ndërlidhet zona periferike të Prizrenit dhe lidhjet e tyre me Prizrenit dhe përmes tranzitit të qytetit në njërën nga këto zona do të rregullohet me këto rrugë të reja. Është riorganzimi i trafikut të brendshëm dhe hapja e rrugëve të reja që disa janë të planifikuara dhe disa janë si projekte ideore…Kjo unazë do të vazhdojë nga rrethi i ri i Arbanës deri te tranziti i ri. Rruga e tranzitit të ri do të funksionalizohet deri te lagjja Dardania. Pas këtyre me hartën zonale është paraparë zgjerimi i rrugës, do të bëhet dy shirita në anë, çështja kyçe, lidhja e re për Tetovë do të sjell trafik në Prizren, por tuneli dhe rruga për Prevallë është e nevojshme për Prizrenin, pasi e sjellë në zonë më të madhe turistike”, tha ai.

Haskuka i cili është kryetar aktual i Prizrenit, tha se ky qytet do të ketë afërsisht 700 parkingje.

“Tri gjërat që na duhen që Prizreni me pas zonën këmbësorike dhe vendet për parkingje dhe e gjithë zona e qendrës të lirohet për këmbësor dhe biçikleta, është tuneli dhe rregullimi i transportit urban që do të orientohet nga taukbanhanja”, tha ai.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se ky plan infrastrukturor do të rritë hapësirën për qytetarët dhe largoi ndotjen. Ai përmendi edhe rrugën Prizren-Tetovë, e cila sipas tij do të sjell zhvillim ekonomik në këtë zonë.

“Është kënaqësi me pa këtë plan në të cilin do të rritet hapësira për qytetarët, këmbësorët, biçiklistët dhe ku do të kemi më pak vetura. Do të kthehet kalldrëmi dhe ky përgjithësisht është një plan i cili qon drejtë ndotjes më të vogël, hapësirave dhe socializimit më të madh të qytetarëve…Si qeveri në planin tonë kemi paraparë edhe rrugën që lidh Prizrenin me Tetovë, në mes janë bjeshkët e Sharrit, ne parashohim se kjo pjesë e Prizrenit të ketë synim edhe turistik. Prandaj edhe rruga përmes këtij do të sjellë zhvillimi ekonomik”, tha ai.

Haskuka garon në balotazh me Shaqir Totajn e PDK-së.

Exit mobile version