Në Kamenicë dyshohet se një person ka fotografuar votën. I njëjti është në ndalim dhe rasti po hetohet nga Prokurori i Shtetit. Njëjtë ka ndodhur edhe me një person në Viti, i cili nën ndikimin e alkoolit ka shkaktuar incident në një qendër votimi.
Kështu bën të ditur zëdhënësi i Stacionit Policor në Gjilan, Ismet Hashani, i cili thotë se sot janë duke përcjellë procesin zgjedhor në Gjilan, Kamenicë, Viti e Kllokot.
“Në Kamenicë është raportuar për ndalim të një personi që dyshohet për fotografim të votës. Prokurori i Shtetit bashkë me hetuesit janë në vendin e ngjarjes dhe sigurisht që do të mësojmë për detaje të tjera. Një rast tjetër ka ndodhur komunën e Vitisë që nuk lidhet me procesin zgjedhor, por është cilësuar për momentin si prishje e rendit dhe qetësisë publike. Pasi bëhet fjalë për një person që nën ndikimin e alkoolit ka bërë zhurmë diku në një fshat të komunës së Vitisë”, deklaron Hashani.
Gjatë ditës nuk është raportuar për ndonjë parregullsi tjetër në komunën e Gjilanit.
Mbi 100 mijë gjilanas kanë të drejte vote për zgjedhur të parin e komunës, ku garojnë Lutfi Haziri nga LDK dhe Alban Hyseni nga LVV.