Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte kambanë alarmi për të gjithë. Sipas tij, zhvillimet që ndodhën më pas janë burim i madh shqetësimi. Ai në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme. Ministri i Jashtëm bëri të ditur se javën e ardhshme në New York do të organizohet takim kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve.
Në interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë, Hasani u shpreh se Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit.
“Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas, janë një burim i madh shqetësimi. Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen, Serbia vendosi të shpallë me nxitim një ditë zije për 3 kriminelë, synimi i të cilëve ishte cenimi më dhunë i rendit e sigurisë në Kosovë, ishte një sinjal jo vetëm i keq por dhe më i rrezikshmi, që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euro-atlantik. Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë”, deklaroi ai.
Në seancë plenare, Hasani shtoi se çdo përpjekje e Serbisë apo e kujtdo tjetër për ta relativizuar atë që ndodhi më 24 shtator është e kot dhe do të mbetet e dështuar.
Ministri i Jashtëm tha se i takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë, serioz, të gjithanshëm dhe të dalë me konkluzionet e nevojshme duke vënë fajtorët para ligjit.
“Dialogu nuk mund e nuk duhet të mbetet peng i dinamikave të brendshme, as i lojërave politike apo interesave afatshkurtra, pasi ecuria dhe rezultati i tij nuk kanë të bëjnë vetëm me Kosovën dhe Serbinë por edhe me të ardhmen e gjithë rajonit. Është kësisoj bindja jonë që dialogu duhet të vazhdojë pa humbur asnjë moment, pasi çdo kohë e humbur ka çmim pakrahasueshëm më të lartë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, shtoi Hasani.
Në deklarimin e tij, Hasani deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë ta ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik.
“Ka një konstante që duhet theksuar që në krye të herës: Shqipëria e ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë Kosovën në qendër të aktivitetit të saj diplomatik. Nuk ka si të jetë tjetërsoj, duke pasur parasysh se jemi dy vende por një popull, dy shtete por një hapësirë e sigurisë në rritje dhe e zhvillimit demokratik të pandërprerë. Mbështetja jonë për të zgjeruar gjeografinë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, forcimin e profilit të saj si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe mbështetja në anëtarësimin në institucionet euro-atlantike, garantimin e stabilitetit e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e gjithnjë e më të ngushtë, të gjitha këto janë një prioritet absolut i politikës sonë të jashtme”, deklaroi ai.
Ai u shpreh se Kosova është pjesë e agjendës në çdo takim e format, duke shtuar se javën e ardhshme në Nju Jork do të organizohet një takim në Këshill të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit.
“Javën e ardhshme, ne do të organizojmë në Nju Jork një takim të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit. Përfaqësues të lartë nga Kosova do të ketë mundësinë të ndajnë me mbarë botën, në forumin më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave e vajzave kosovare, viktima të sulmeve barbare të ushtrisë së Milosheviqit por edhe domosdoshmërinë për të bërë çmos për të vënë autorët para drejtësisë”, vijoi ai në deklarimin e tij.
Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.