UBT News

​Harris: Nëse Rusia pushton Ukrainën do forcojmë aleatët tanë në lindje

2CC4AD1 Washington DC, United States, democratic party vice presidential nominee Kamala Harris in election campaign in Washington DC

Nga Mynihu, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, zv.presidentja amerikane Kamala Harris ka paralajmëruar Rusinë se sanksionet ndaj saj në rast se pushton Ukrainën nuk do të jenë vetëm ekonomike.

“Ne nuk do të ndalemi me sanksione ekonomike. Ne do të përforcojmë më tej aleatët e NATO-s në lindje. Së bashku ne kemi marrë masa për të përforcuar fuqinë parandaluese dhe mbrojtjen tonë kolektive. Ne kemi dërguar 6 mijë trupa amerikane shtesë në Rumani, Poloni dhe Gjermani, si dhe kemi vendosur 8.500 të tjerë në gjendje gatishmërie”, u shpreh Kamala Harris, zv.presidente e SHBA.

Në të njëjtat linja, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se qasja ruse ndaj Ukrainës përbën një rrezik për të gjithë rendin botëror dhe ka akuzuar Moskën se po kërcënon një vend me mbi 40 milionë banorë me pretekstin e sigurisë. Por, përgjigjja e Perëndimit, ka shtuar ajo është gati.

“BE dhe partnerët ndër-atlantikë kanë përgatitur një paketë të fortë sanksionesh financiare dhe ekonomike, përfshirë ato mbi energjinë dhe teknologjinë. Nëse Kremlini sulmon, ne mund të marrim masa me pasoja të rënda për interesat ekonomike të Moskës. Planet e rrezikshme të Kremlinit, që vijnë nga një e kaluar e errët, mund t’i kushtojë Rusisë të ardhmen”, u shpreh Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar se lufta po i vjen rrotull Evropës dhe rreziku i saj është ende i pranishëm. Sikurse parafolësit, edhe Scholz ka deklaruar se një sulm eventual rus ndaj Ukrainës do të ishte një “gabim serioz”.

“Çdo agresion ushtarak ndaj Ukrainës do të jetë një gabim i rëndë, i cili ne nuk duam që të ndodhë. Rusia ka bërë publike përgjigjen e saj ndaj propozimeve amerikane dhe ne, e përsëris, jemi gati të negociojmë”, tha Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë.

Krerët e shteteve dhe qeverive kanë deklaruar megjithatë se janë gati të negociojnë me Kremlinin, por kanë shtuar se nuk do të tregohen naivë.

Exit mobile version