UBT News

​Haradinaj paraqet rezolutën për dialogun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka paraqitur një rezolutë në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë.

Haradinaj në seancën e sotme ku po mbahet interpelanca ndaj kryeministrit Kurti, ka kërkuar nga institucionet që të fillojnë dialogun me serbët lokal për t’u kthyer në institucione, të ketë koordinim me opozitën dhe të mbahet një samit disa ditor në ShBA për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

“Situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të tilla, andaj duke pasur parasysh këtë situatë, i propozoj Kuvendit të votojë rezolutën me këto pika. Pika e parë është që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale. Pika dy, institucionet e Kosovës, të fillojnë dialogun me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. Pika tre është që Qeveria të nis komunikimin intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitës. Pika e katërt kërkohet një samit në ShBA deri në përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë. Sikurse e dini të nderuar deputetë, kjo kërkesë për interpelancë ka ardhur para vendimi të fundit të qeverisë për shtyrje të vendimit për targa dhe ka ardhur në kohë të tensioneve. Tani mund të konstatojë se sa i përket pikës së parë ka një zhvillim të caktuar edhe pse nuk është që do t’i bënte nder Kosovës pranimit që në kohë të kërkesës amerikane. Mendoj se tri pikat të tjera qëndrojnë. Pse kjo rezolutë dhe ndikimi i saj, pasi në disa situata qeveria duhet të merr përkrahjen e parlamentit”, tha ai.

Megjithatë Haradinaj renditi disa kritika karshi krerëve institucionalë lidhur me situatën e krijuar javët e fundit, para arritjes së marrëveshjes për targa me Serbinë.

“Për fat të keq veprimet e deritanishme të institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillte kërkesën e ShBA-së për të shtyrë vendimin e marrëveshjes për targat, ka zgjedhur skenarin më të keq për zbatimin e fazave për këtë marrëveshje. Kjo i ka dhënë hapësirë Serbisë edhe të luaj rolin e viktimës dhe të ndërmarrë veprime anti-Kosovë. Fatkeqësisht as presidentja e vendit dhe as Kuvendi nuk kanë vepruar në përputhje me seriozitetin e situatës, duke vepruar se në këto dy javë nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, tha ai.

Exit mobile version