Kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Mitrovica po shfrytëzohet për lojëra të ndyra të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj tha se propaganda e Vuçiqit është duke e penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Mitrovica është shembull për lojën e ndyrë të Vuçiqit. Ai po promovon frikë dhe kërcënim midis pakicës serbe në vendin tonë, duke ndërhyrë vazhdimisht në çështjet tona të brendshme. Propaganda e tij e luftës po e pengon integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Ai ka vite që i përdor serbët e Kosovës për pushtetin e tij politik në Serbi”, tha Haradinaj në tubimin elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot në Mitrovicë.
Haradinaj ka thënë se kërcënimet e vazhdueshme nga presidenti serb, e kanë penguar edhe rrugëtimin e Serbisë për të qenë në familjen e shteteve dhe kombeve.
“Vuçiq nuk është mjaftuar me kaq. Në vazhdimësi e ka kërcënuar Kosovën dhe e ka penguar në rrugëtimin e vet për të qenë e barabartë në familjen e shteteve dhe kombeve”, ka thënë Haradinaj gjatë adresimit para qytetarëve në Mitrovicë.