UBT News

​Haradinaj: Nëse dështon zgjedhja e presidentit mund të shkojmë prapë në zgjedhje

Kosovo prime minister Ramush Haradinaj, speaks to the media during a press conference in Kosovo capital Pristina on Tuesday, Dec. 18, 2018. Haradinaj blamed Europe Union's foreign policy chief for "deviating the dialogue" on normalizing ties with Serbia. Haradinaj said that, while Serbia is taking major steps toward the integration with the bloc, his country's residents have remained "in a ghetto," not enjoying the visa-free travel to EU countries though it has fulfilled all requirements. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik, meqë një gjë e tillë sipas tij do të bllokonte krijimin e institucioneve të reja që do të dalin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ai në një konferencë për media ka bërë të ditur se po garon në këto zgjedhje me synim postin e presidentit, teksa ka folur edhe për programin e partisë për këto zgjedhje, që siç tha ai kanë paraparë fondin 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike.

Ramush Haradinaj, i cili synon të marrë postin e presidentit të vendit në pranverën e këtij viti, tha se zgjedhjet e 14 shkurtit ‘janë ndryshe’.

“Jemi të vetëdijshëm që këto zgjedhje janë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme dhe çelësi i suksesit të tyre është edhe zgjedhja e presidentit të vendit. Nëse kjo dështon, e dimë po ashtu që krejt procesi zgjedhor dhe vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje, andaj duke udhëhequr me vendin si president në këtë kohë të sfidave, po ashtu kemi marrë përgjegjësi të jemi edhe gardian i të gjitha çështjeve të interesit kombëtar të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Haradinaj tha se AAK është në përfundim të përpilimit të listës me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Aleanca në këto zgjedhje hyn më e përgatitur se ndonjëherë më parë, e kemi përfunduar programin e partisë i cili është një program i jashtëzakonshëm dhe i fokusuar në përgjigje konkrete për situatën ekonomike, gjendjen me pandeminë. Po ashtu, në program kemi fondin e rimëkëmbjes prej 1 miliard euro dhe jemi në proces të përmbyllim sot listën e kandidatëve për deputet për Parlamentin e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ndërsa nuk do të ketë koalicion parazgjedhor për garën e 14 shkurtit, kreu i AAK-së ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha subjektet e tjera politike.

“Pas zgjedhjeve nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt politik për shkak se e dimë që këto vija të kuqe do të pengonin krijimin e institucioneve, sepse kërkohet një shumicë, dy të tretat në Kuvend dhe kësisoj ne do të bllokonim vendin. Kushdo që merr pozicion të vijave të kuqe, ai e ndihmon bllokimin e institucioneve pas zgjedhjeve dhe rrezikon vazhdimësinë institucionale të Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, në konferencën për media Haradinaj i ka bërë thirrje mërgatës që më 14 shkurt të marrin pjesë në zgjedhje. Ndër të tjera, ai ka prezantuar edhe një kandidate nga diaspora, Arbnora Hasani, e cila jeton në Gjenevë.

Exit mobile version