UBT News

​Haradinaj në Drenas: Nuk do të lejojmë të vuaj një popull nga gabimet e të tjerëve

Zhvillim ekonomik, forcim të sigurisë së brendshme, përballje me Serbinë dhe anëtarësim në NATO, si të pavarur apo edhe me Shqipërinë, po premton kandidati për president, Ramush Haradinaj. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thekson se do të ruajnë ekuilibrin e pushteteve, demokracinë parlamentare dhe ndarjen e pushteteve.

Kandidati për president, Ramush Haradinaj në tubimin zgjedhor në Drenas, theksoi se në demokraci është me rëndësi se çfarë drejtimi do të ketë vendi në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kjo pasi që siç tha ai, vendi ka rënie të zhvillimit ekonomik, e rini të papunë.

AAK pretendon përfshirjen në qeveri ku Haradinaj tha se programi është i fokusuar në ekonomi, për çka kanë premtuar fond 1 miliard euro.

“Duhet të kemi ushtrinë e fortë, ta forcojmë ushtrinë më shumë. Ta rritim në çdo dimension, në çdo parametër ushtrinë. Jo për të rrezikuar dikë, por me qenë të mbrojtur me pas garancë. Krejt institucionet tjera të sigurisë, edhe AKI-në edhe institucionet tjera duhet të ngritim në nivel të situatës, në nivel të përgjegjësive dhe rajonit. Kosova nuk guxon me mbet prapa rajonit me institucionet e sigurisë. Duhet t’i forcojmë edhe shtetin ligjor, gjyqësorin, prokurorin. Pse të gjitha këto? Po, sepse përballemi me Serbinë, po sepse jemi në finale, po sepse duhet të anëtarësohemi në NATO”, ka theksuar ai

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kandidatët për kryeministër, ani pse Ramush Haradinaj është bartës i listës. Ai synon vetëm postin e presidentit. Ky tha se shteti nuk është eksperiment e as improvizim, duke shtuar se shteti duhet të ecë para me garancë.

“Nuk do të lejojmë në Kosovë që t’i japim dikujt situatën që nga gabimet e tyre të vuajë një popull. Do të ruajmë ekuilibrin e pushteteve, do ta ruajmë demokracinë parlamentare, ndarjen e pushteteve, legjislativi, gjyqësori, ekzekutivi, presidenca”, ka shtuar Haradinaj.

Ai edhe një herë ka përmendur prioritet e tij, në rast se do të udhëheq me vendin.

“E kthejmë ekonominë bashkë, e forcojmë sigurinë e brendshme, përballemi me Serbinë se nëse do të jem unë presidenti i vendit, ju e dini rrugën e përballjes që do të jetë. Do të anëtarësohemi në NATO ose si të pavarur, ose në union me Shqipërinë. Edhe të gjallët e dinë kush jam, edhe armiqtë e dinë kush jam. Me 14, 135 është numri i Aleancës”, ka theksuar Haradinaj.

Kandidati për deputet, Beqir Kiqina theksoi se koha është për dikë që mbron territorin e Kosovës dhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“A po doni një komandant suprem i cili ju prin dhe është jo pas jush, po para jush. A po doni një kandidate e cila nuk mundet fort t’i bëjë ballë sfidave. Ne nuk kemi problem me asnjë parti politike, të gjithë i kanë njerëzit e vet, mirëpo ne kemi problem nëse vjen një presidente ose një president i pa-zoti i cili nuk mund të mbrojë Kosovën”, ka deklaruar ai.

Partia e Ramush Haradinaj ka paraparë ndarjen e 100 eurove për secilin qytetar, gjithashtu subvencionim të pagave për punëtorët.

Exit mobile version