Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë lidhur me pagat e Policisë së Kosovës.
Haradinaj ka thënë se trajtimi i tyre në Ligjin e Pagave as për së afërmi nuk i përmbush nevojat e tyre. Madje ai ka treguar se shumë policë i kanë shkruar dhe janë ndjerë të pakënaqur me ketë trajtim që po ju bëhet.
“Çdo herë, Policia e Kosovës është në krye të detyrës. Ne, me të drejtë krenohemi me punën e tyre. Por, trajtimi i tyre në Ligjin e Pagave as për së afërmi nuk i përmbush nevojat e tyre. Shumë prej tyre më kanë shkruar, të zhgënjyer me nivelin e trajtimit që ju jep ky ligj. Edhe pse pritej që t’iu rritet paga, me ligjin e ri për shumë pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e tyre. Kryeministër, reflekto”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Qeveria e Kosovës të mërkurën e bëri publik koeficientin për pagat në sektorin publik. Në Polici, drejtori i përgjithshëm do të ketë pagë me koeficient 14.5, ndërsa polici i thjeshtë koeficient 5. Kadeti policor do të ketë koeficientin 2.