Kryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kurti fillimisht u paraqit para palës serbe në dialog me një retorikë të guximshme e kundërshtuese, por një gjë e tillë tani ka ndryshuar në tërësi. Haradinaj në një konferencë për media ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mos-punë në rimëkëmbjen e vendit si pasojë e pandemisë si dhe menaxhimin e situatës me COVID-19
“Qasja e kryeministrit Kurti është një qasje e çuditshme ndaj Serbisë, në fillim kemi parë një retorikë mjaft të guximshme e kundërshtuese por tash i ka palu veshtë fort nuk po e kuptojmë pse, pra i ka palu veshtë total kryeministri ynë dhe shqetësimi më i madh që kam dhe them të drejtën sinjali më i çuditshëm është heqja e masave antidamping për bllokat e Serbisë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti edhe për dështim të projekteve amerikane të MCC-së.
“Amerika i ofron Kosovës diversitet energjetik, diversitet, pra na bjen gazin amerikan prej Greqisë dhe ia ofron 200 milionë pare, Kosova është kah e dështon këtë projekt me vonesa. Tani pyetjen ua bëj atyre që dikur ishin kundër energjisë së qymyrit, pse janë kundër gazit amerikan, a janë kah e presin gazin rus sikur një pjesë e Evropës, apo kanë ndonjë problem tjetër. Pra pyetja për Albinin dhe gjithë të tjetër është a po e pritni gazin rus dhe për atë po i dështoni 200 milionë të MCC-së, e nuk po e lejoni ardhjen e gazit amerikan në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kritikuar qeverinë për menaxhim jo të duhur të situatës me pandeminë Covid-19, për çka ka thënë se situata është e rëndë.
“Ju kujtohet ndoshta Qeveria Kurti 1 kur çdo ditë e kishin nga ora 5 Kurti me Vitinë, prej atëherë bile mbahet mend mindili i Vitisë, Kurti folke për pandeminë, atëherë nuk ka qenë gjendja më keq se sot, sot është me keq, numri i vdekjeve është më i madh sot, numri i të infektuarve është shumë i madh, problemet nëpër spitale janë shumë të mëdha. Një qeveri e përgjegjshme kish tregu për do masa që po i merr të njëjtën kohë për me u ballafaqu me këtë gjendje, kish dhënë ndonjë shpjegim qytetarëve, njëfarë sekreti është të numri i vaksinuarve, a ka vaksina në Kosovë, pse vonohen terminet, është një problem diku nuk po dalin me jep llogari. Këta janë të habitur krejt, janë të huptë, nuk janë duke u marrë me temën, nuk është rastësi që po ja kërkojmë dorëheqjen, po ja kërkojmë në kohë pa u thellua dëmi, vazhdimi i kësaj qeverisje, me këtë mënyrë të qeverisjes besoni po e thellon tragjedinë për Kosovën”, ka thënë ai.
Në konferencën për media kryetari i AAK-së ka folur për gjendjen e ekonomisë në vend si pasojë e pandemisë, për çka ka thënë se pako e qeverisë është mashtrim, meqë sipas tij, nuk përmban masa të reja për ringjallje të ekonomisë.