UBT News

​Haradinaj kujton civilët e vrarë në Studime të Vushtrrisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 24-vjetorin e rënies, ka kujtuar martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, duke thënë që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltarë të lirisë së vendit tonë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse aspironin lirinë e vendit.

“Plagët e popullit tonë janë ende të freskëta dhe nuk mund të mbyllen pa u ndëshkuar të gjitha krimet. Në 24-vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë me përulje martirët e masakrës së Studimes së Vushtrrisë, që ranë për këtë tokë duke u shndërruar në gurë themeltar të lirisë së vendit tonë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse aspironin lirinë e vendit. Nuk do të ndalemi deri sa të dalin para drejtësisë autorët e krimeve. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Janë bërë 24 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit.

Exit mobile version