Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se ky subjekt është jashtëzakonisht i shqetësuar me gjendjen aktuale në Kosovë.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se zhvillimet aktuale nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin sesa sot.
“Zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot. Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat. Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë e cila kërkon zgjidhje urgjente. Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e parties”, ka shkruar Haradinaj.